Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka vendosur të largojë nga grupi parlamentar ish-kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha.
Kjo do të vlejë derisa të dalë në dritë e vërteta e vendimit të Departamentit Amerikan të Shtetit, i cili e shpalli persona “non-grata” ish-liderin demokrat.
Në një deklaratë për mediat, teksa theksoi rolin e rëndësishëm të Berishës në forcimin e marrëdhënieve Shqipëri-SHBA, kryedemokrati Basha ka përsëritur thirrjen për transparencë në këtë proces.
Më tej Basha shtoi se partneriteti i Partisë Demokratike me SHBA-të është i pacenueshëm dhe do të duhet të vijojë të mbetet i tillë në interes të demokratëve dhe të ardhmes së Shqipërisë.
Deklarata e plotë e Bashës:
Berisha është padyshim udhëheqësi shqiptar që ka dhënë kontributin më të çmuar në forcimin e demokracisë dhe e çoi miqësinë me SHBA në nivele më të larta. Dua ta përsëris se vendimi i DASH nuk cenon arritjet madhore të Shqipërisë nën drejtimin e Berishës.
PD mbështet kërkesën për transparencë të bërë nga Berisha i cili ka marrë një vendim në mbrojtje të dinjitetit të tij. Nga ana ime prej dy muajsh e gjysmë kam bërë të gjitha përpjekjet për gjetjen e një zgjidhje për këtë çështje.
Partneriteti i PD është i pacenueshëm dhe do duhet të vijojë të mbetet i tillë në interes të demokratëve dhe të ardhmes së Shqipërisë.
Ne i konsiderojmë SHBA aleatin tonë strategjik më të rëndësishëm për Shqipërinë. Për të konkretizuar këtë qëndrim kam vendosur që deri në përfundimin e shqyrtimit të kërkesës ligjore për transparencë Berisha nuk do të jetë anëtar i grupit parlamentar të PD-së.
Ish-kryeministri Sali Berisha u shpall non grata nga SHBA në muajin maj të këtij viti. Ishte vetë sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken publikisht ka shpallur si person non grata në SHBA ish presidentin dhe ish kryeministrin Sali Berisha bashkë më familjen e tij. Asokohe përmes një mesazhi në Twitter, Bliken tha se ish-presidenti Shqipërisë Sali Berisha me aktet e tija korruptive minojnë demokracinë.
“Unë në mënyrë publike shpall Berishën dhe anëtarët e familjes së tij të ngushtë si të ndaluar për të hyrë në SHBA. Ne qëndrojmë të bashkuar kundra korrupsionit me partnerët tanë në Shqipëri”./Telegrafi