Sa shtete i ka Kosova?

- in Kuriozitete

Shqiptarët andej lumit Ibër jetojnë në ankth të përhershëm.

I kujtojnë “Rojat e urës”, serbë të akredituar për dhunë ndaj cilitdo shqiptar që e kalonte urën për në pjesën veriore të Mitrovicës.

Andaj, shumica e shqiptarëve janë larguar prej atje, duke i shitur banesat dhe shtëpitë, e disa duke i humbur ato me dhunë pa asnjë metelik! Ndërkaq, shqiptarët e mbetur atje shpresojnë të bëhet mirë, ndërsa ata që kanë oborre e tokë shpresojnë të ndërtojnë në të ardhmen, edhe pse Qeveria e Republikës së  Kosovës atje pak e shtrinë dorën dhe ndikimin e shtetit…

Ç’THONË DISA NGA BANORËT QË JETOJNË NË VERI?

Elmedina, një banore që jeton në pjesën veriore, kurse punon në pjesën jugore të Mitrovicës, ka thënë se në veri të Mitrovicës pak ndjehet fryma e shtetit të Kosovës.

“Nuk ka dorë shteti ynë andej lumit sa duhet, për të mos thënë fare. Jetohet sikur të ishte një shtet tjetër. Atje nuk ndjehet fryma e shtetit të Kosovës. As nuk mund të krahasohet jeta andej me këndej lumit. Krejt këtë frymë të të jetuarit në dy shtete njeriu e ndjen në një hapësirë që e ndanë lumi Ibër. Nuk na ka dalë në mbrojtje askush. Ne, shqiptarët, në Veri jemi minoritet!

Frika është e pranishme te shqiptarët, sepse serbët lëvizin të organizuar për kriminalitet dhe maltretime, me qëllim të bëjnë presion që ne, shqiptarët, të largohemi prej pronave tona”, thotë Emledina.

Ç’THOTË BANORJA E SUHADOLLIT?

Ardita, banore në Suhadoll, udhëton çdo ditë për këndej lumit Ibër. “Pak a shumë, këtu, ku edhe jetoj unë, në Suhadoll, jetohet pak më mirë se në pjesë të tjera të Veriut të Kosovës. Nga mosha tetëvjeçare jetoj këtu, në këtë shtëpi, në Suhadoll. Dhe, nuk kam frikë, sepse jetojmë në shtëpinë tonë, edhe pse ka rreziqe. Jetojmë me të drejtën juridike se liria nuk duhet cenuar për askënd.
Këtu luan rol edhe numri i madh i popullatës shqiptare që jeton numerikisht shumë më shumë se serbët”, thotë Ardita.

SI U ZVOGËLUA NUMRI I SHQIPTARËVE?

Vlen të kujtojmë se menjëherë paslufte ka pasur më shumë shqiptarë sesa ka sot në këtë pjesë të Kosovës, por gradualisht janë shpërngulur nga presioni paramilitar serb, por edhe ai shtetëror nga Serbia. Dikush i ka shitur pronat, dikush i ka lëshuar duke mos parë siguri, sepse ka qenë një dhunë e orkestruar nga Serbia.

Megjithatë, kohëve të fundit gjendja është përmirësuar pak, edhe pse nuk mund të thuhet se ka siguri, meqë rreziku është i pranishëm, varësisht nga situata që
ndryshon.

PSE NUK PO MUND TË NDËRPRITET KOLONIZIMI?
Sidoqoftë, edhe pse ka sado pak përmirësime në këtë pjesë të Kosovës, shteti i Kosovës nuk ka arritur të pengojë kolonizimin me serbë nga Serbia dhe BosnjëHercegovina. Janë ndërtuar dhe po ndërtohen çdo vjet lagje të mëdha nga Serbia, në të cilat po vendosën kolonët serbë.
Shtrohet pyetja: Sa shtete i ka Kosova?

Selim Rama /Kosovarja-ks.com