Pothuajse çdo muaj në Klinikën e Onkologjisë gjatë këtij viti janë diagnostikuar rreth 140 persona me sëmundje malinje. Prej tyre, për tre muajt e parë e të vitit janë infektuar me COVID-19 më shumë se 60 pacientë. Prej tyre të cilët trajtohen në Onkologji, asnjë nga të infektuarit nuk ka humbur jetën nga ky virus.
Drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi tregon për KosovaPress se gjatë vitit 2020, janë regjistruar 1370 raste të reja me kancer dhe numri i atyre që kanë qenë të infektuar me COVID-19 deri në fund të vitit të kaluar ka qenë mbi 350.
Kurtishi: Fluks në Onkologji
(Video)
“Nga janari kemi prapë raste të reja të cilët duke marrë kimioterapinë, ose kur bëjnë kontrolle tek ne, na lajmërojnë që janë të infektuar me COVID-19. Dhe ato raste që na lajmërojnë që janë të infektuar, ne i ndërpresim mjekimet onkologjike derisa të shërohen nga infeksioni. Fluksi i punës është shumë i madh në klinikën tonë, ne kemi punuar gjatë gjithë kohës së pandemisë”, tregon ai për KosovaPress.
Po ashtu, Kurtishi tregon se gjatë ditës në këtë periudhë, klinikën janë duke e frekuentuar mbi 150 pacientë, që i bie se të njëjtit shtretër shfrytëzohen 3 deri në 4 herë.
Kurtishi: 120-140 raste me sëmundje malinje gjatë një muaji
(Video)
“Numri i sëmundjeve malinje apo rasteve të reja që i identifikojmë nga muaji në muaj sillet nga 120 deri në 140 raste të reja të sëmundjeve të lokaliteteve të ndryshme. Zakonisht të femrat dominon kanceri i gjirit, kurse te meshkujt dominon kanceri i mushkërive. Dhe menjëherë pas këtyre dy problematike te dy gjinitë janë kanceri në zorrën e trashë dhe i organeve gjenitale të cilët janë problematike te femrat”, shton ai.
Më tej, drejtori i Onkologjisë bën të ditur se deri më tani nuk ka pasur raste të cilat kanë qenë duke u trajtuar në klinikë, e që të njëjtit ka humbur jetën si shkak i infektimit me COVID-19.
Kurtishi: Për tre muaj i kemi deri në 60 pacientë të infektuar
(Video)
“Gjatë vitit 2020 numri ka qenë 300-400 persona (të infektuar), kurse këta tre muaj (janar-mars) ne deri tash i kemi grumbulluar rreth 50-60 pacientë të cilët na kanë informuar që kanë qenë të prekur nga COVID-19”, shton ai.
Veç tjerash Kurtishi thekson se deri në fund të prillit pritet instalimi i aparaturës së re të radio-terapisë, për çka shton se kanë nevojë edhe për një aparaturë tjetër për shkak të numrit të madh të shërbimeve. /Sh.Pajaziti/KP