Dita e fundit e vitit 2022 u përmbyllë me 97 aksidente në trafik në rrugët e Kosovës, 41 me të lënduar e 56 me dëme materiale. Pavarësisht këtij numri të madh aksidentesh, raste me fatalitet fatmirësisht nuk pati, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjalizuesit e Sinjalit nga gjithandej vendi kanë raportuar në vazhdimësi për aksidentet që janë shkaktuar pothuajse në secilin qytet.
Fillimisht mëngjesin e ditës së djeshme në rrugën “Rexhep Bislimi” në Ferizaj, një shofer e ka goditur me veturë një këmbësore, të cilës i ka shkaktuar lëndime trupore. Bëhet fjalë për një 61-vjeçare, e cila është dërguar në Emergjencën e Ferizajt, e më pas është transferuar për në QKUK.
Një aksident tjetër ka ndodhur nga Zubin Potoku për Shupkovc, kur janë përfshirë dy automjete në aksident, njëri prej të cilëve veturë zyrtare e Policisë së Kosovës. Shkaktar dyshohet të jetë distanca e mbajtur nga i dyshuari, i cili është përplasur me automjetin zyrtare, ku për pasojë janë shkaktuar dëme materiale.
Edhe në Stanovc të Vushtrrisë është raportuar një aksident trafiku mes dy veturave, por këtë herë i dyshuari që e shkaktoi aksidentin ka ikur nga vendi i ngjarjes. Sipas sinjalizuesve, janë shkaktuar dëme si pasojë e aksidentit, teksa në vendin e ngjarjes ka dalë edhe Policia.
Pasditen e djeshme edhe në Kaçanik ndodhi një aksident trafiku, si pasojë e shpejtësisë së tejkaluar nga shoferi që dyshohet se shkaktoi aksidentin. Për pasojë pesë persona kanë marrë lëndime trupore, të cilët janë dërguar në Emergjencë për trajtim mjekësor.
Edhe në Prizren, në mbrëmje u shkaktuar një aksident trafiku për shkak të mosrespektimit të rregullave në komunikacion. Shoferi 32-vjeçar dyshohet se është kyçur në udhëkryq në mënyrë të pakujdesshme, duke rrezikuar kështu trafikun. Nga ky aksident ka mbetur i lënduar vet shoferi i dyshuar, që më pas kërkoi ndihmë mjekësore në spital.
Në Mitrovicë po ashtu u shkaktua një aksident, ku është përfshirë vetëm një veturë. Siç mëson Sinjali shoferi ka humbur kontrollin dhe është përplasur në një muri, duke pësuar kështu vet lëndime trupore. I njëjti është dërguar në Spitalin Rajonal ku ka marrë trajtim mjekësor dhe është jashtë rrezikut për jetë.
Ndërkohë, disa orë para ndërrimit të motmoteve, edhe në Gjilan u shkaktua një aksident trafiku mes tre veturave, për shkak të pakujdesisë së njërit prej shoferëve të përfshirë. Pesë persona u lënduan dhe po ashtu u shkaktuan dëme materiale si pasojë e këtij aksidenti.