Rrëfimi ekskluziv i qytetarit që u keqtrajtua nga Policia në Rahovec: S’kom guxu me folë hiç, polici këtu o shtet

- in Lajme

Një qytetar në Rahovec e ka pësuar keq nga Policia, më 10 maj, pasi reagoi kur një zyrtar policor hyri pa rend për të marrë shërbim mjekësor në Qendrën e Mjekësisë Familjare.

Kjo i kushtoi atij me arrestim e keqtrajtim, madje edhe kërcënim për t’i mos denoncuar policët e përfshirë në rast.

Sinjali sot publikoi pamje ekskluzive ku shihet se si iu vërsulën policët para syve të babait të tij dhe e arrestuan nën dyshimet se tentoi ta sulmojë njërin prej tyre.

Por, e vërteta qëndron ndryshe. Është pikërisht qytetari i cili u sulmua nga zyrtarët policorë gjatë transportimit për në stacion policor. Sinjali ju sjellë rrëfimin ekskluziv të viktimës, i cili ka pësuar edhe lëndime trupore nga goditjet e policëve.

Viktima, një 39-vjeçar (emër i njohur për redaksinë), në një rrëfim për Sinjalin e ka përshkruar në detaje se si u përballë me policët, pasi protestoi për mos mbajtje të radhës në QKMF. I shqetësuar për gjendjen e babait të tij, i cili vuan nga diabeti, viktima tha se ata ishin duke pritur në radhë, ndërkohë që polici, me uniformë u lejua nga infermierja t’i kryej analizat, pa rend.

“Polici pa rend ka hyrë për analiza, na i kemi thonë që edhe na po presim në rend, po ai na është kthyer duke thënë se unë jam rendi dhe ligji dhe pas kësaj më kanë arrestuar dhe më kanë rrahur”, tha viktima për Sinjalin.

Zyrtarët policorë iu vërsulën 39-vjeçarit dhe e prangosën në sy të babait të tij, teksa më pas e morën për ta dërguar në stacion, ku gjatë transportimit, sipas viktimës e kanë rrahur, duke i shkaktuar lëndime trupore.

Për sulmin që po e përjetonte, viktima iu kishte thënë policëve që do t’i denoncojë në Inspektorat Policor, por të njëjtit e kanë kërcënuar se nuk guxon ta bëjë një gjë të tillë.

I mllefosur për rastin, ai tha se “polici në Kosovë është vet ligji”.

“Nuk kam guxu me denoncu, kam qenë i kërcënuar prej policit që mos me denoncu askund rastin. Ua kom përmend emrin (zyrtar i IPK-së), por më kanë thënë që nuk guxon me denoncu kurrkund hiç. Më kanë rreh ata mu, nuk kom guxu me folë mo, polici është ligj”.

Për shkak të dhunës dhe torturës që ka përjetuar, viktima ka pësuar lëndime trupore, të cilat shihen në fotografinë e mëposhtme.