Rohde: Gjermania do të mbështet Kosovën në punësimin e të rinjve

- in Lajme

Gjermania do të mbështes Kosovën në punësimin e të rinjve. Kështu ka deklaruar ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde me rastin e dorëzimit të disa pajisjeve inovative për saldim të teknologjisë nga GIZ Kosova për studentët e Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike.

Rohde tha se është shumë e rëndësishme që aftësitë të përputhen me tregun e punës, teksa shtoi se Universiteti i Prishtinës do të luajë një rol të madh në këtë proces.

Rohde: Do të mbështesim Kosovën në punësimin e të rinjve

Video

“Jam shumë i lumtur që GIZ është një partner i kamotshëm dhe i besueshëm, dhe shpresoj që në të ardhmen të vazhdojmë mbështetjen, veçanërisht në fushën e trajnimit, e cila është shumë e rëndësishme dhe jo vetëm sepse është një traditë gjermane që ne të vazhdojmë të kemi bashkëpunim në këto fusha, dhe të vazhdojmë, sidomos punësimin e të rinjve këtu në Kosovë, dhe se migrimi i cili është shumë i dukshëm këtu, gjithashtu të bëhet si një fenomen rrethor, sepse njerëzit që kanë emigruar mund kthehen dhe gjejnë mundësi në tregun lokal”, tha ai.

Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Naser Sahiti tha se makinat e saldimit janë mbështetje e shkëlqyeshme për trajnimin e studentëve dhe profesorëve.

Ai vlerësoi se pajisjet inovative janë një mbështetje e vlefshme e popullit gjerman për njerëzit e Kosovës.

Sahiti: Po mundohemi të ndjekim përvojat gjermane hap pas hapi

Video

“Këto makina saldimi do të jenë një mbështetje e shkëlqyeshme për trajnimin e studentëve dhe profesorëve tanë nga shkollat e mesme profesionale, nga bizneset dhe organizatat e tjera. Për informacionin tuaj, i nderuari Ambasador, programet tona të studimit janë në përputhje me programet e studimit të universiteteve gjermane, siç janë Universiteti i Stuttgartit, Universiteti i Berlinit etj, kështu që ne po mundohemi të ndjekim përvojat gjermane hap pas hapi”, tha Sahiti.

Mirënjohës për mbështetjen që GIZ Kosova dha për Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike, ishte edhe dekani i këtij fakulteti, Ahmet Shala, i cili tha se inxhinieria mekanike do të bëhet një lloj burimi kombëtar për trajnimin e komuniteteve, të profesionistëve në saldim.

Shala: Inxhinieria mekanike do të bëhet burim kombëtar për trajnimin e komuniteteve

Video 26:40

“Me rastin e dorëzimit të këtyre pajisjeve nga GIZ, disa pajisje shumë cilësore dhe moderne për trajnimin e njerëzve, në fushën e ndërtimit, e cila është me të vërtetë e rëndësishme jo vetëm për ne, por për të gjithë shtetin, dhe unë shpresoj që bazuar në këto pajisje, inxhinieria mekanike do të bëhet një lloj burimi kombëtar për trajnimin e komuniteteve, të profesionistëve në saldim. Ky nuk është aktiviteti i vetëm që kemi me GIZ dhe me Ambasadën Gjermane, ne gjithashtu kemi edhe disa aktivitete të tjera”, u shpreh ai.

Kurse, menaxheri i projektit për punësim dhe shkathtësitë e të rinjve në kuadër të Giz Kosova, Klaus Bader – Labarre, tha se vet projekti synon të rrisë punësimin e të rinjve kosovarë.

Labarre: Projekti synon të rrisë punësimin e të rinjve kosovarë

Video

“Si një projekt, qëllimi i të cilit është të rrisë punësimin e të rinjve kosovarë. Ne jemi vërtet të lumtur të nisim me këtë pajisje, me këtë donacion, bashkëpunimin me universitetin, posaçërisht me qendrën e inovacionit këtu. Unë dua të them që ajo që shpesh nënvlerësohet është se saldimi, është teknologjia kryesore në shumë sektorë, në ndërtim, në transport, në logjistikë, kështu që, shumë sektorë kanë vërtet nevojë për saldatorë të kualifikuar për të përmirësuar biznesin”, tha ai.

Shuma e këtij donacioni arrin vlerën prej 120 mijë euro./N.Jakupi/ KosovaPress