Rinia braktisë Kosovën, Albin Kurti vazhdon vetëkënaqësinë | Më 2022 rreth 42 mijë qytetarë lëshuan vendin, 28% e popullsisë mbi 18 vjeç planifikojnë emigrimin deri në verë

- in Lajme

“Nga viti 2012 deri në vitin 2022, nga Kosova kanë emigruar 338 mijë qytetarë. Vetëm në vitin 2022 kanë emigruar 41,553 qytetarë”.

Këto të dhëna tronditëse janë bërë të ditura nga Instituti GAP më 12 janar 2024, me rastin publikimit të raportit “Prirja për të emigruar nga Kosova pas liberalizimit të vizave: ndikimi në fuqinë punëtore”, shkruan Demokracia.com.

Sipas këtyre të dhënave, rreth 297 mijë qytetarë janë larguar nga Kosova, kurse vetëm gjatë vitit 2022, nën Qeverinë e drejtuar nga kryeministri Albin Kurti, nga Kosova janë larguar 41,553 qytetarë. Kjo është një shifër jashtëzakonisht e lartë e regjistruar vetëm në vitin e dytë të mandatit të Qeverisë Kurti e ardhur në pushtet me premtime të mëdha.

Jo vetëm largimi i qytetarëve nga Kosova deri më tani është shqetësues, por edhe të dhënat për vitin 2024 janë shqetësuese.

Në dhjetor 2023, Instituti GAP zhvilloi një anketë për të matur prirjet e qytetarëve për të emigruar qysh në pjesën e parë të vitit 2024.

“Rezultatet e anketës së realizuar nga Instituti GAP, në lidhje me planet dhe tendencën e qytetarëve të Kosovës për të emigruar pas liberalizimit të vizave, tregojnë se 28% e qytetarëve të Kosovës mbi 18 vjeç planifikojnë të emigrojnë në pjesën e parë të vitit 2024. Grup-mosha nën 24 vjeç përbën kategorinë më të prirur (33.4%) për të emigruar”, thuhet në njoftimin dhe publikimin e Institutit GAP.

Njoftimi dhe raporti i publikuar:

https://www.institutigap.org/lajme/3177

Por, edhe përkundër këtyre të dhënave tronditëse, vetëm kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po vazhdon të qeverisë i pashqetësuar dhe pa asnjë masë të ndërmarrë që do të zbehte dëshirën e qytetarëve për të lëshuar vendin në kërkim të një jete më të mirë në shtetet perëndimore.

Pavarësisht se hulumtimet dhe analizat për këtë fenomen shqetësues janë gati të përditshme, kryeministri Albin Kurti po injoron vazhdimisht këto të dhëna, duke u vetëkënaqur me statitstikat e tij të pakuptimta sesi jeta në Kosovë po zhvillohet dhe përparohet me ritme që bota mund të na lakmojë.

Në kohën kur Instituti GAP po pyeste qytetarët për qëllim të anketës së dhjetorit lidhur me tendencën e tyre për tu larguar nga Kosova pas liberalizimt të vizave, kryeministri Kurti po u kërkonte bashkëpartiakëve të tij në Këshillin e Përgjithshëm të Vetëvendosjes, më 16 dhjetor 2023, që t’ia gjejnë një qeveri, “jo në Ballkan, por edhe në Evropë” që e dyfishon punësimin ende pa e mbaruar mandatin.

“Është dyfishuar edhe numri i të rinjve të punësuar, ku në fillim të vitit 2021 ishin 28,293 persona, të rinj, kurse në fund të korrikut 2023 numri i të rinjve të punësuar ishte 60,884, më shumë se dyfish brenda një mandati. Ma gjeni një qeveri, jo në Ballkan po edhe në Evropë që e dyfishon, që ma shumë se e dyfishon punësimin e të rinjve, brenda një mandati, për vetëm dy të tretat e mandatit”.
Në të njëjtën mbledhje të partisë së tij, Kurti kishte vazhduar të çudiste bashkëpartiakët e tij, kur u tha se shumë Qeveri në vende të ndryshme nuk i shohin as në ëndërr rezultatet e Qeverisë së tij. /Demokracia.com/