Deputeti nga radhët e Aleancës Progresive të Socialistëve dhe Demokratëve (S&D) në Parlamentin Evropian (PE), Thijs Reuten, ka thënë se bashkësia e organizuar ndërkombëtare duhet t’ia tregojë kufirin Serbisë, posaçërisht për mos-respektimin e Marrëveshjes Bazë (Bruksel, 27 shkurt) dhe Aneksit të Implementimit (Ohër, 18 mars) ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Në një prononcim për gazetën britanike “The Guardian”, derisa komentuar vizitën e presidentes së Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen, në Beograd, ai ka konsideruar se strategjia e Bashkimit Evropian (BE) dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) për qetësimin e presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, tanimë ka dështuar.
Ai ka thënë se vetëm në javën e fundit edhe “besimtarët më të vendosur në strategjinë e dështuar të BE-së dhe SHBA-ve për qetësimin e presidentit të Serbisë, duhet të kenë pasur thirrje për zgjim nga gjumi”, derisa ka vijuar t’i numërojë veprimet bllokuese të Serbisë në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi nën kujdesin e BE-së.
“Vuçiçi mohon ekzistencën e Marrëveshjes së Ohrit, nuk e do formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe nga Prishtina, sepse edhe kur iu ofrua të nënshkruante marrëveshjen, ai refuzoi për të shmangur angazhimin real për normalizim. Në Beograd, ai i thotë presidentes Von der Leyen, në fytyrë se është krenar që refuzon njohjen de-facto të Kosovës”.
E perspektiva e Serbisë drejt BE-së është ende e pasigurt. Gjithashtu, mbetet e paqartë nëse Serbia do të ndjekë politika të favorvshme ndaj stabilitetit rajonal. Serbia, gjatë gjithë historisë saj, ka marshuar sipas një daulleje krejt të ndryshme nga pjesa tjetër e botës perëndimore. Prandaj eurodeputeti holandez ka një porosi për Serbinë.
“Ju nuk mund të ledhatoheni me Rusinë, të jeni shkaku i jostabilitetit të vazhdueshëm në disa shtete fqinje, duke lejuar dhe duke mbështetur qëllimisht veprime destabilizuese, dhe në të njëjtën kohë duke folur për rrugën e BE-së dhe duke marrë miliarda të përkrahjes evropiane. BE-ja, SHBA-ja dhe Britania e Madhe duhet të caktojnë një kufi”, ka shtuar ai.
Reuten gjithashtu ka shprehur shqetësimin për “fushën e pabarabartë të lojës” dhe mungesën e lirisë së mediave në Serbi, pas shpalljes së zgjedhjeve parlamentare dhe lokale më 17 dhjetor, derisa ka shtuar se presidenti serb ka shpallur zgjedhjet e reja vetëm për t’ia ruajtur vetes pozitën./Demokracia