Moskuptimi ose keqinterpretimi i qëllimshëm i raporteve financiare, e ka cilësuar Telekomi i Kosovës prezantimin e raportit financiar për këtë ndërmarrje publike nga Zyra Kombëtare e Auditimit për vitin 2021.
Në reagimin e Telekomit të Kosovës thuhet së “Bordi dhe Menaxhmenti i Telekomit nuk janë të interesuar për lëvdata nga askush, por jemi të detyruar të reagojmë ndaj titujve bombastik dhe shpifës, sipas të cilëve, si pasojë e keqmenaxhimit në vitin 2021, qenkan shkaktuar humbje mbi 10 milionë euro”.
Më tej thuhet se “humbja NETO e raportuar në pasqyrat financiare të vitit 2021, në vlerë mbi 10 milionë €, është rezultat i paraqitjes në pasqyra financiare të Vendimit të Arbitrazhit në rastin me DARDAFON-in në vlerë mbi 13.4 milionë €, vendim ky i pranuar në vitin 2022, ndaj të cilit do të shfrytëzojmë çdo rrugë të mundshme për ta kundërshtuar si vendim të padrejtë dhe skandaloz. Paraqitja e vendimeve të tilla në pasqyra financiare është obligim sipas Standardeve Ndërkombëtare të Kontabilitetit”
“Ngarkimi i periudhës së vitit 2021 me këtë kategori të shpenzimeve nuk është rezultat i operimeve të vitit 2021, e as i viteve 2020 apo 2019. Efektet e këtij vendimi gjenezën e kanë në vitin 2009, kur është nënshkruar kontrata më e dëmshme jo vetëm në historinë e Telekomit por të gjithë Kosovës, që nga paslufta”, thuhet në reagim.
Telekomi ka prezantuar një tabelë të gjitha kategorive të hyrave dhe shpenzimeve që lidhen me aktivitetin e rregullt afarist të Telekomit për vitet 2019, 2020 dhe 2021. /Telegrafi/