Tash e disa ditë ka bërë bujë një lajm i pavërtetë që mediat vendore për arrestimin e disenjatorit kosovar, Valdrin Sahiti, në shtetin e Turqisë. Madje u raportua se ai ka përdorur pasaportën e tij diplomatike për të kaluar në zonën VIP të aeroportit të Stambollit, raporton Gazeta Sinjali.
E për këtë, pati kritika të mëdha kundrejt presidentes së vendit, Vjosa Osmani, për të cilën u tha se është ajo e cila e pajisi me pasaportë diplomatike stilistin që përkujdeset për veshjet e saj zyrtare.
Mirëpo një gjë të tillë e kanë mohuar nga Presidenca.
Këshilltari për media i Osmanit, Bekim Kupina, ka thënë se presidentja asnjëherë nuk i ka dhënë pasaportë diplomatike askujt dhe nuk ka komptencë ligjore për këtë.
Kupina pohoi se këto pasaporta janë dhënë nga qeverisja e kaluar.
“Presidentja asnjëherë nuk i ka dhënë pasaportë diplomatike askujt, pra as Valdrin Sahitit. Presidentja as nuk e ka rekomanduar nje gjë të tillë. Presidentja nuk ka kompetencë ligjore të japë pasaporta. Këto pasaporta janë dhënë nga qeverisja e kaluar”, shkroi ai.
Tutje Kupina tha se shpifjet e shumta të këtyre ditëve, Presidenca do t’i trajtojë duke ndërmarrë masa të parapara me ligj ndaj të gjithë atyre që kanë shpifur.
Avokati i Sahitit, Besnik Berisha, ka demantuar për disa herë këto raportime, teksa tashmë është deklaruar edhe vet disenjatori.
Në një prononcim për Sinjalin, Sahiti tha se ka vendosur që t’u përgjigjet personalisht raportimeve të tilla, që i ka quajtur “shpifje”.
Ai e ka përsëritur se lajmet për paraburgosjen e tij janë të rreme, gjë të cilën e ka dëshmuar përmes provave që ka dërguar në adresë të redaksisë./Sinjali