Raportohet se Pantiqi do të dërgohet në arrest shtëpiak

- in Lajme

Ish-policit serb, Dejan Pantiq, që dyshohet për sulm ndaj Policisë së Kosovës dhe Komisioneve Komunale Zgjedhore në veri, raportohet se i është ndryshuar masa nga paraburgimi në arrest shtëpiak.

Kështu ka raportuar gazeta serbe “Blic” duke u thirrur në burimet e saja.

Siç raportohet, Pantiq fillimisht do të dërgohet në spital për të bërë një kontroll të përgjithshëm mjekësor.

 

Arrestimi i Dejan Pantiq ka bërë që serbët në veri të Kosovës të bllokojnë rrugët që çojnë në Jarinje dhe Bërnjak. Ata kanë vendosur kusht lirimin e Pantiq për heqjen e barrikadave.

Ndryshe, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla në një konferencë për media të mbajtur më 22 dhjetor, kishte thënë se kërkesa e serbëve për lirimin e  ish-policit serb Dejan Pantiq është e papranueshme.

Ai shtoi se Pantiq do të duhej të ishte në qendrën e paraburgimit e jo të mbahej në stacion policor, e për këtë thotë se kanë dorëzuar kërkesë tek ndërkombëtarët për transferimin e Pantiq në qendrën adekuate për mbajtje të paraburgimit.

“Lirimi i Pantiqit është i papranueshëm. Gjendja e tij shëndetësore është e mirë dhe ka trajtimin e duhur. Ai do të duhej të ishte në qendrën përkatëse për mbajtje e jo në stacionin policor. Lidhur me këtë kemi dorëzuar kërkesë tek ndërkombëtarët për transferimin e tij në qendrën adekuatë për mbajtje të paraburgimit”, tha ai.

GazetaSinjali/