Të hënën në media është raportuar se ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla-Schwarz, ka kërkuar largimin nga detyra të ambasadorit gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde, me arsyetimin se “po përzihet shumë”.
Siç ka raportuar “Albanian Post” duke u referuar në burime, një kërkesë e tillë për largimin e Rohde është bërë nga ministrja Gërvalla gjatë vizitës së realizuar në Gjermani. Ankesa e kryediplomates, gjithmonë sipas këtyre raportimeve ka qenë se Rohde “po ndërhynë/përzihet shumë” dhe se “po shkruan shumë në platformën “X””.
Lidhur me këto raportime Gazeta Express ka dërguar pyetje në Ambasadën e Gjermanisë në Prishtinë, e cila drejtohet nga Ambasadori Rohde.
Megjithatë zëdhënësi i kësaj ambasade Christian Bottcher, ka thënë se s’komentojnë për raportimin në fjalë.
“Ne nuk komentojmë për këto raportime”, ka thënë Bottcher për Gazetën Express.
Gazeta Express ka dërguar edhe pyetje në adresë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës dhe është në pritje të një përgjigjeje për të mësuar nëse raportimi në fjalë është i vërtetë dhe nëse ministrja Gërvalla ka kërkuar largimin e diplomatit gjerman.
Ambasadori Jorn Rohde ka filluar misionin e tij diplomatik në Kosovë në vitin 2020. Ai tashmë ka hyrë në vitin e tij të 4 si përfaqësues diplomatik i Berlinit zyrtar në Gjermani./Demokracia