Raporti për lirinë e medias, Krasniqi thirrje Qeverisë ta ndërpresë cenimin dhe përndjekjen e gazetarëve

- in Lajme

Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, i ka bërë thirrje Qeverisë që ta ndërpresë cënimin dhe përndjekjen e gazetarëve dhe mediave të lira të Kosovës.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, lidhur me rënien e Kosovës për 19 vende në indeksin e lirisë së medieve nga “Reporterët Pa Kufij”, ka thënë se ky është vlerësimi më negativ ndonjëherë.

Krasniqi ka thënë se presioni në rritje i qeverisë ndaj gazetarëve dhe mediave është kërcënim për lirinë e shtypit dhe fjalës së lirë.

“Këto veprime të pushtetit janë tregues i një tendence më të madhe, më shqetësuese drejt shtypjes së medias dhe ndërhyrjes politike. Shkelje të tilla kërcënojnë parimet themelore të demokracisë dhe heshtin zërat kritikë që janë të nevojshëm për funksionimin e shëndetshëm të shoqërisë dhe shtetit tonë”, ka shkruar Krasniqi.

Kreu i PDK-së i ka bërë thirrje Qeverisë që ta ndërpresë cenimin dhe përndjekjen e gazetarëve dhe mediave të lira të vendit tonë.

“Gazetarët duhet të vazhdojnë të punojnë pa frikën e hakmarrjes, censurës ose persekutimit.  Për gazetarët e Kosovës: ne shohim qëndrueshmërinë dhe përkushtimin tuaj. Puna e juaj është thelbësore – tani më shumë se kurrë – në përpjekjen që të mbajmë ndezur dritën e transparencës, llogaridhënies dhe integritetit demokratik. Mos u ndalni!”, ka shtuar kreu i partisë opozitare.

Meqë sot është Dita Botërore e Lirisë së Shtypit, Krasniqi i ka uruar gazetarët dhe ka shprehur solidarizimin dhe mbështetjen e plotë për ta.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka njoftuar sot se Kosova ka shënuar rënie për 19 vende në indeksin e lirisë së medieve nga Reporterët Pa Kufij. Në këtë vit Kosova renditet në vendin e 75-të, ndërsa vitin e kaluar renditej në vendin e 56-të.

Organizata më e madhe botërore për lirinë e medies jep një sërë arsyesh për përkeqësimin e lirisë së medias në vendin tonë.

“Edhe pse media me sukses vazhdon t’i mbajë politikanët përgjegjës, gazetarët vazhdojnë të jenë target i sulmeve politike. Rregullatori joefikas i medieve, KPM, po provon të reformojë veten. Televizioni më i madh, Klan Kosova, ka qenë subjekt i sulmeve administrative nga qeveria, e cila gjithashtu e ka kërcënuar pavarësinë e transmetuesit publik, RTK me zgjedhjen e një aleati të afërt të partisë në pushtet për drejtor. Mediet në gjuhën serbe, që janë nën presion nga forcat politike serbe, janë ankuar për diskriminim në qasje në informatat publike, sidomos në gjuhën e tyre, që është e drejtë kushtetuese për minoritetet”, thuhet në raport./Demokracia