Raporti për Kosovën i Komisionit Evropian në pjesën ku flitet për Agjencinë e Kosovës për Akreditim, është i saktë, shumë pozitiv, është inkurajues për punën tonë dhe shpresëdhënës për kthimin tonë në Asociacionin Evropian të Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA) dhe Regjistrin Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR).
Ndonëse në kohë pandemie, Komisioni Evropian vlerëson se “Agjencia arriti të përfundojë ciklin e plotë të akreditimit për vitin akademik 2021-2022, duke zvogëluar numrin e programeve dhe institucioneve, bazuar në kriteret e cilësisë”. Kjo tregon se AKA zbaton në plotni standardet evropiane të cilësisë, pasi që në proces të akreditimit gjatë këtij viti kanë qenë të angazhuar 81 ekspertë eminentë ndërkombëtarë.
Komisioni Evropian e vlerëson punën tonë për përmbushjen e kritereve për kthimin në ENQA dhe EQAR kur thotë “AKA vazhdoi përpjekjet për të rikthyer anëtarësimin”.
Në Raport Agjencia e Akreditimit nuk ka marrë asnjë vërejtje për punën e saj. Po të lexohet me kujdes i gjithë Raporti Komisionit Evropian ne jemi institucioni me performancën më të mirë në Republikën e Kosovës.
Komisioni Evropian ka vërtetuar edhe raportet e organizatave të shoqërisë civile në Kosovë, të cilat e kanë vlerësuar shumë pozitivisht punën e Agjencisë së Akreditimit.