Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë një njoftim të rëndësishëm pikërisht në ditën kur nisi gjykimi në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, e që ndërlidhet pikërisht me një çështje të tillë.
Rama me shkronja të mëdha shkroi se janë mbledhur firmat (nënshkrimet) në Asamblenë e Këshillit të Evropës për Mocionin për një rezolutë të re mbi rezolutën e vitit 2011 ku ngriteshin akuzat e rënda ndaj UÇK-së, mes tjerash edhe për trafikim organesh.
“Rruga e Drejtësisë për Kosovën, gjakun e derdhur për liri, dëshmorët e UÇK-së dhe heronjtë e saj të gjallë sot në Hagë, do të jetë e gjatë, e mundimshme, madje edhe fyese deri në palcë, por drejtësia do të triumfojë në fund fare, sepse s’ka forcë në botë që ta damkosë si kriminale një luftë çlirimtare,” – shkroi Rama në profilin e tij në Facebook.
Për rezolutën 1782 që bazohej në raportin e Dick Martyt për “hetimin e pretendimeve mbi trajtimin çnjerëzor të njerëzve dhe trafikimin e paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë” kishin votuar 191 deputetë.
Mes tyre, 169 kishin votuar për, 8 kundër dhe kishte pasur edhe 14 abstenime.
Çka kishte ndodhur në tetorin e vitit 2022 në Strasburg?
Edi Rama në cilësinë e kryeministrit të Shqipërisë kishte mbajtur një fjalim që ishte cilësuar gjerësisht si “i fuqishëm” në vendin tonë.
Ai aty kishte folur kundër raportit të Dick Martyt, dhe akuzave që dilnin prej aty.
“Kjo dëmton bashkësinë ndërkombëtare. Besimi është thyer. Kur bota kthehet përmbys, e viktima bëhet kriminel, gjithçka është e mundur. Viktima e parë e këtij shtrembërimi jeni ju, të gjithë ju. Është bashkësia ndërkombëtare. Një lajm i rremë u shndërrua në një raport, e pastaj në një rezolutë. Si rrjedhojë e vendimit të kësaj Asambleje, bota u kthye përmbys, viktimat e luftës u kthyen në kriminel. Kërkimi për të vërtetën, u kthye në një gënjeshtër. Një i ri luftëtar, u shndërrua në një udhëheqës të bande mafioze. Një udhëheqës i zgjedhur u kthye në një kriminel lufte,” tha Edi Rama në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
“Imagjinoni që presidenti juaj merret nga zyra e tij dhe dërgohet në burg pa asnjë aktakuzë. Joe Biden e quante Thaçin George Washingtoni i Kosovës. Thaçi dha dorëheqje, u largua me dinjitet nga zyra, dhe vendosi veten në dispozicion të drejtësisë në mënyrë të përsëritur deklaroi se i besonte drejtësisë. Sepse për drejtësine e kishte rrezikuar jetën. Është ende atje në Hagë, Joseph K. i gjallë, ende në burg. Krijuar nga një lajm i rrejshëm. Që u përhap si murtaja dhe ndikoi politikën e institucionet ndërkombëtare. Nuk jam këtu të vë në diskutim as Gjykatën Speciale e asgjë që lidhet me procesin gjyqësor. Jam këtu për të vënë në diskutim, burimin, vetë burimin e infektuar të neveritshëm që krijoi gjithë këtë vale,” – theksonte Rama më tej në atë fjalim./Demokracia