Rama: Ndërkombëtarët janë zot shtëpie në Kosovë, ata e krijuan atë shtëpi me bomba

- in Lajme, Shqipëri

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se ndërkombëtarët janë zot shtëpie në Kosovë si në asnjë vend tjetër.

Rama në një konferencë për media të mbajtur në Shqipëri në lidhje me situatën në veri të Kosovës, ka treguar se si ia ka dorëzuar një draftstatut të Asociacionit kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe presidentit francez Emmanuel Macron.

“Asociacioni është thelbi i gjithë kësaj marrëveshje siç e keni parë. Çfarë kërkojnë ata, që në këtë rast nuk i quaj ndërkombëtarë, sepse ata janë zot të shtëpisë në Kosovë. Janë zot shtëpisë në Kosovë si në asnjë vend tjetër, sepse ata e kanë krijuar atë shtëpi me bomba dhe me shumëçka që kanë bërë për atë shtëpi. E për sa kohë ajo shtëpi nuk është plotësisht e njohur botërisht, ata ndërkombëtarët, janë limfa vitale e shtëpisë. Në momentin që ata ndërkombëtarë ia kthejnë shpinën kësaj shtëpie, ajo shtëpi, të mos ndodhë kurrë, futet në ditët e veta më të zeza. Kjo është e vërteta”, tha Rama në konferencë për media.

Rama ka thënë se nuk është për të bërë komente për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Ai ka treguar se i ka dalë në mbrojtje Kurtit, kur e quanin “tradhtar” se u ulë në tryezë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Kjo është rruga, do ta mbështes deri në fund në rrugën e njohjes së ndërsjellë. Për këtë po luftojmë të gjithë. Nuk luftojmë për tjera gjëra. Njohjen e ndërsjellë, e shpëtimin prëfundimtar të Kosovës edhe nga kjo barrë e mosnjohjeve që e ka në kurriz Kosova.

Rama ka thënë se kryetarët e zgjedhur të katër komunave të veriut të Kosovës e kanë “kryer misionin e tyre”.

“Në vend se të merremi me këtë, ne merremi me policët në godina bosh, me katër kryetar komunash që e mbaruan misionin e tyre. Unë nuk isha dakord me ata që i thoshin Kurtit mos i mbajë zgjedhjet, isha i bindur se zgjedhjet duhet të bëhen, nuk mund të merret peng procesi i zgjedhjeve. Ashtu jam ti bindur se ato zgjedhje e kanë kryer misionin e tyre, duhet shpallur zgjedhje të reja menjëherë dhe pa humbur kohë, për të treguar vullnet në radhë të parë e për të shtensionuar situatën. Duhet tërhequr policia menjëherë, s’ka çfarë pret policia atje, po rri kot në godina bosh. Kosova është më e interesuara për këtë gjë. Këta ndërkombëtrët janë zot të shtëpisë atje, është shumë e vështirë të mendosh atë shtëpi pa ata, e aq më tepër t’i nxjerrësh ata me shkelma. Ajo që mund të ndodhë është shumë e rëndë. Nëse trupat e huaja marrin veriun e Kosovës, çështja do të kthehet në tryezë kush e di pas sa vjetëve. Ky është një nga momentet në historinë politike ku minuti e bën vitin, ora e bën dekadën e dita shekullin. Këtë di ta them”, tha Rama, ndërsa ka bërë thirrje që të shpallen zgjedhjet në katër komunat veriore të Kosovës, sa më shpejt të jetë e mundur.

Rama ka thënë se në rast se Kosova nuk i plotëson kërkesat e ndërkombëtarëve atëherë kthehet në “kohën e bronzit”.

“Një Asociacion që është brenda kornizës Kushtetutese të Kosovës, që është në sinkron me të gjitha pritshmëritë e komunitetit demokratik, që i jep vetëadministrim apo vetëmenaxhim, quani si ta doni, pa e vënë në pikëpyetje asnjëherë autoritetin e institucioneve të Republikës së Kosovës, që u jep mundësi atyre të bëjnë ato që duan të bëjnë për arsimin e shëndetësinë, e që patjetër gjen miratimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, është gjëja që i duhet Kosovës. Tjerat janë dokrra e të rrezikshme, që mund ta çojnë Kosovën prapa në kohën e bronzit. Është serioze, nuk është çështje zbatimi i ligjit. Është diçka shumë serioze. Është e gjithë bota që i do të mirën e Kosovës, nuk janë vetëm aleatët evropianë dhe amerikanë. Janë edhe aleatë tjerë të cilët janë të shqetësuar, shumë të shqetësuar. Të cilët duan zgjidhje e nuk arrijnë dot të kuptojnë se çfarë kërkon Kosova më tash, kur gjithë janë të fokusuar dhe thonë bëjeni këtë e shkojmë kah njohja e ndërsjellë”, tha Rama.

/GazetaSinjali/