Punëtorët e një pompe të derivateve në fshatin Maxhunaj të Vushtrrisë janë përballur mbrëmë para mesnatës me disa persona të cilët kanë tentuar t’i grabisin, nën kërcënimin e armës.
Sinjali ka mësuar se si ka ndodhur ngjarja dhe ju sjellë më poshtë detajet.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë të ditur se rasti ka ndodhur derisa punëtorët e kompanisë kanë qenë në vendin e punës, kur tre të dyshuar kanë hyrë me maska e kallashnikov.
Në momentin që viktimat janë përballur me të dyshuarit, njëri prej tyre e ka mbushur armën dhe më pas iu ka drejtuar me fjalët “qitni paratë dhe lëshoni telefonat në tokë”. Për t’u vetëmbrojtur, punëtori ka kapur një karrige dhe iu ka vërsulur të dyshuarve, duke u thënë se nuk kanë para.
“Puna” e të dyshuarve nuk u krye me sukses, pasi të njëjtit s’arritën të grabisin asgjë dhe u larguan nga vendi i ngjarjes në këmbë.
Sinjali mëson se Policia është njoftuar menjëherë, me ç’rast njësitë përkatëse kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë filluar kërkimet për t’i kapur të dyshuarit, të cilët nuk janë hasur përreth.
Lidhur me këtë rast, prokurori kujdestar ka udhëzuar që të iniciohet si “grabitje në tentativë”.
/GazetaSinjali/