Përfaqësuesja e Kosovës në karate është përzgjedhur si një nga federatat që do të marrin pjesë në Kampionatin e 50-të Evropian të karates për Kadet, Junior dhe U-21 që mbahet në Qipro.
Mirëpo, përpos lajmit fantastik të përfaqësimin të Kosovës në një turne të tillë, në dritë ka dal një parapaskenë “qesharake”.
Qipro, vendi organizator i turneut, nuk ka lejuar që flamuri i Kosovës të rreshtohet bashkë me flamujt e vendeve të tjera që marrin pjesë në këtë event.
Në vendin ku duhet të ishte vendosur flamuri i Republikës së Kosovës, organizatorët kanë vendosur një baner të bardhë me mbishkrimin “Kosovo Karate Federation” (Federata e Karatesë së Kosovës, FKK).
Kujtojmë që Qipro është nga të paktat shtete evropiane që nuk njeh pavarësinë e Republikës së Kosovës, së bashku me Greqinë “tutoren” e saj.
Për incidentin ka reaguar edhe Federata e Karatesë së Kosovës në mediat e saj sociale.
“Sot pas shumë përpjekjesh nuk u lejuam të marrim pjesë si të barabartë me 48 shtetet europiane pjesmarrëse në këtë kampionat zyrtar të EKF(Federata Europiane e Karatesë) meqenëse na u mohua e drejta për përfaqësim me simbolet shtetrore nga institucionet shtetrore të Qipros”, thuhet në deklaratën e FKK-së.
“Dëshprimi nga nënçmimi ndjehet fuqishëm tek të gjithë anëtarët e ekipit kombëtar dhe më gjërë”.
“Përgjatë kësaj periudhe kontakti i vazhdueshëm mes MKRS dhe FKK ka qenë intensiv dhe me qëndrim të përbashkë që të respektohet pjesmarrje e barabartë në evente sportive”, përfundon FKK-ja.
Gjithashtu rikujtojmë se edhe më herët sportistët nga Kosova kanë pasur probleme me shtetet që nuk njohin pavarësinë e Republikës së shpallur më 17 shkurt 2008, si Serbia dhe Spanja./Albanianpost.com