Qeveria ende i cilëson të padrejta masat e BE-së, por po përpiqet ta bindë Brukselin që t’i heq ato, duke treguar se ka bërë disa hapa për ta merituar këtë. Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ia ka dërguar një letër me 10 pika emisarit Miroslav Lajçak, ku i ka treguar se çfarë po bën dhe çfarë do të bëjë Ekzekutivi për komunitetin serb. Por aty s’e ka përmendur themelimin e Asociacionit, që sipas mediumit të madh ndërkombëtar, Politico, është një nga kushtet e Brukselit për heqjen e ndëshkimit. Përpjekja për t’i hequr masat po ndodhë në kohën kur BE po ia tërheq vërejtjen Kosovës se me veprimet e njëanshme mund të nxis tensione.
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi po provon ta bindë Bashkimin Europian që t’i heq masat ndëshkuese ndaj Kosovës, të cilat në Prishtinë janë konsideruar të padrejta që prej vendosjes së tyre në verë të vitit të kaluar. Mbrëmë, ai publikoi një letër të cilën tha se ia ka dërguar emisarit të BE-së, Miroslav Lajçak, ku renditi përpjekjet që tha se janë bërë ndaj kërkesave të Brukselit për heqjen e masave, duke kërkuar largimin e menjëhershëm të tyre.
“Një largim i menjëhershëm do të na ndihmonte t’i mobilizonim përpjekjet për përparimin e përshpejtuar të reformave, të krijonim mjedisin për forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe integrimin më të shpejtë të ËB6”, shkroi Bislimi në “X”, ku e publikoi letrën.
Bislimi në krye të letrës kërkon që Lajçak dhe shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell të bëjnë “një kërkesë urgjente dhe formale” për heqjen e masave ndaj Kosovës, pasi “kemi arritur në një situatë joracionale”.
“Tani kemi arritur në një situatë joracionale ku Kosova po mbron sundimin e ligjit ndërsa është nën masa, ndërsa Serbia vazhdon të ushqejë radikalizmin pa pasoja. Është e vetëkuptueshme se ky veçim i padrejtë i Kosovës dëmton edhe procesin e normalizimit me Serbinë që po përballet me dekurajim për të zyrtarizuar dhe zbatuar marrëveshjen ashtu siç është negociuar. Masat ndikojnë negativisht në progresin dhe reformat tona në BE. Më lejoni t’ju kujtoj se Kosova është një lider rajonal në dëshirën e saj për t’u anëtarësuar në BE me mbështetjen më të lartë të qytetarëve dhe të gjithë spektrit politik. Bllokimi në ekzekutimin e projekteve IPA dëmton përpjekjet tona për rritje të përshpejtuar, konvergjencë të BE-së dhe reforma strategjike thelbësore. Një heqje e menjëhershme e këtyre masave negative jo vetëm që do të na ndihmonte të mobilizonim përpjekjet për përparimin e përshpejtuar të reformave, por në të njëjtën kohë do të krijonte një mjedis të favorshëm për forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe integrimin më të shpejtë të BB6”, thuhet në fillim të letrës.
Në vijim, Bislimi ka shtuar një listë të “masave proaktive të ndërmarra për përmirësimin e pjesëmarrjes së serbëve në institucione dhe jetën publike të Kosovës”. E përmendi krijimin e një mekanizmi për verifikimin e diplomave të lëshuara nga shkollat e mesme të sistemit serb në Kosovës. Tha se në tetor qeveria kishte krijuar bazën ligjore për verifikimin e këtyre diplomave.
“Kjo ofron mundësi të reja të mëdha për rreth 30.000 mbajtës të diplomave të tilla që të kenë qasje në arsimin e lartë ose punësim në institucionet dhe tregun e punës të Kosovës, dhe të sigurojë një fuqi punëtore që pasqyron diversitetin e Kosovës”, shkroi Bislimi.
Ai shkroi ndër tjerash se Qeveria ka ndarë “subvencione shtesë për 4 komuna në veri të Kosovës” dhe se ka ofruar që ta bëjë riparimin e dëmeve të shkaktuara në Manastirin e Banjskës. I tregoi Lajçakut edhe se Qeveria në fund të vitit të kaluar miratoi Strategjinë për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Interesave të Komuniteteve në Administratën Publike e cila ka një plan veprimi shoqërues, dhe që parasheh kuotën prej 10% të pjesëtarëve të komuniteteve joshumicë që do të punësohen në institucionet qendrore.
Bislimi tutje ka shkruar se “kryeministri dhe zëvendëskryeministrat janë angazhuar në dialog të rregullt me komunitetin serb, përfshirë mediat serbe”, duke i treguar diplomatit europian se shefi i Qeverisë rregullisht publikon video-mesazhe në serbisht për qytetarët e komunitetit serb.
Lajçakut i tregoi po ashtu se është shpallur konkursi për drejtor të Zyrës për Çështje të Komuniteteve në Zyrën e Kryeministrit vetëm për anëtarët e komuniteteve joshumicë dhe se procesi po vëzhgohet nga britanikët. I tregoi për “rritjen e konsiderueshme të buxhetit dhe granteve për OJQ-të që punojnë në sigurimin e zbatimit të ligjit për gjuhët”. “
“Ndërhyrja personale e kryeministrit zgjidhi problemin me mungesën e përkthimit serb të seancave plenare në Kuvend. Për herë të parë, njoftimet për shtyp të Zyrës së Kryeministrit publikohen në të dyja gjuhët zyrtare dhe mbledhjet e qeverisë transmetohen drejtpërdrejt edhe në gjuhën serbe. Ëeb-faqet e disa instituteve u rishikuan dhe tani ofrohen në të dyja gjuhët, tashmë plotësisht në përputhje me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve. Janë bërë përpjekje shtesë për të përmirësuar pjesëmarrjen e komuniteteve në sport, kulturë dhe në përgjithësi me fushata të ndryshme informuese, përfshirë fushatën informative për liberalizimin e vizave”, thuhet në letrën e Bislimit.
Ai ka shkruar edhe se është rritur shpejt kërkesa e serbëve për të marrë pasaporta të Kosovës pas liberalizimit të vizave.
Në fund, Bislimi ka zbuluar një synim të Qeverisë për themelimin e një programi të ri të quajtur “Fondi i Integrimit i Kosovës” që ka për qëllim promovimin e integrimit dhe përmirësimit të standardit të jetesës së qytetarëve serbë “përmes ofrimit të mundësive të ndryshme praktike institucionale, ekonomike dhe sociale për bashkëpunim ndërmjet komunave me përbërje të ndryshme etnike”.
Ai, sipas Bislimit, do t’i ketë tri objektiva: fillimisht fuqizimin e zhvillimit dhe shërbimeve të qeverisjes lokale përmes projektit të bashkëpunimit ndërkomunal. Më pas, synon mbështetje ndërkomunale për sektorin privat që synon të përmirësoj situatën e punësimit të grave dhe të rinjve dhe mbështetjen e bizneseve fillestare, qendrave të inovacionit, programeve të mësimit, trajnimit të arsimit profesional, shërbimit online, avancimit të teknologjisë, etj. Gjithashtu, ky fond sipas zëvendëskryeministrit, synon forcimin e angazhimit të serbëve në jetën publike. Kjo, synohet të arrihet nëpërmjet shoqërisë civile për të mbështetur iniciativat qytetare, OJQ-të në një gamë të gjerë aktivitetesh dhe lëvizshmërisë dhe shkëmbimin e njerëzve.
“Qeveria e Republikës së Kosovës zotohet që të kontribuojë më shumë se gjysmën e objektivit prej 100 milionë eurosh”, që siç përshkruan ai, “do të kanalizohet përmes mbështetjes buxhetore për komunat, investimeve direkte për infrastrukturë, kredive dhe asistencës teknike për bizneset, granteve për OJQ-të start-up dhe iniciativat qytetare, bursa për studentë si dhe asistenca teknike dhe ngritje të kapacitetesh për programet rajonale”.
Aktualisht ekziston një Fond Zhvillimor i Mirëbesimit, për krijimin e të cilit Kosova dhe Serbia ishin marrë vesh në vitin 2013 në dialog. Tash e një dekadë, për komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës raportohet të jenë grumbulluar mbi 14 milionë euro, të destinuara për zhvillim ekonomik dhe investime në infrastrukturë. Këtë fond, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, atëherë nga opozita, e cilësonte si “fond për zhvillimin e autonomisë së veriut”.
Por çfarë kërkon BE-ja për t’i hequr masat?
Bashkimi Europian vazhdon të konsiderojë se Kosova s’ka bërë ende atë çfarë pritet në Bruksel për t’ia hequr masat ndëshkuese.
Për masat që BE-ja i mori ndaj Kosovës vitin e kaluar pas rritjes së tensioneve në veri pas hyrjes së kryetarëve shqiptarë në objektet komunale me ndihmë të Policisë, nga Brukseli thanë vazhdimisht se ato do të hiqen “kur të vlerësohet se janë ndërmarrë hapat e duhur për shtensionimin e situatës”.
BE-ja po ashtu thotë se po e vëzhgon situatën në terren për të parë nëse janë marrë masat e duhura.
Ndërsa Qeveria e Kosovës, nga ana e saj thotë se ka bërë atë çfarë duhet për shtensionimin, masat ndëshkuese duket se mund të hiqen vetëm në varësi të rrjedhës që do ta marrë situata në terren dhe dialogu për normalizimin e raporteve me Serbinë.
Një zëdhënës i BE-së i tha mediumit të madh ndërkombëtar, Politico para pak ditësh se “BE-ja ka bërë kërkesa specifike për deskalim në Kosovë dhe ato i janë komunikuar qartë dhe në mënyrë të përsëritur palës kosovare”.
Siç shkroi Politico, kërkesat e BE-së përfshinin themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Në intervistën për këtë medium, kryeministri Albin Kurti i kërkoi BE-së heqjen e masave duke e akuzuar për zbutje ndaj Serbisë në mes të tensioneve.
“Ne u kritikuam për dhunën në veri vitin e kaluar – padrejtësisht – dhe BE-ja vendosi masa kundër Kosovës. Nga ana tjetër, Serbia është duke u rreshtuar me Federatën Ruse në lidhje me agresionin në Ukrainë dhe nuk ka sanksione për Serbinë”, është shprehur Kurti në këtë intervistë të dhënë në margjinat e Forumit Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës.
Reagimet e BE-së për rregulloren e BQK-së dhe operacionet policore në zyrat e Serbisë
Bashkimi Evropian gjatë javës së fundit ka pasur së paku dy reagimeve rreth zhvillimeve në Kosovë duke tërhequr vërejtjen e se veprimet e njëanshme të qeverisë mund të cojnë në tensione.
Zëdhënës i BE’së Peter Stabi tha se vendimi që përjashton dinarin nga 1 shkurti “ngre shqetësime lidhur me ndikimin që do të ketë rregullorja në komunitetet me shumicë serbe në Kosovë, veçanërisht në shkollat dhe spitalet për të cilat nuk ka asnjë proces alternativ të zbatueshëm”, ka thënë Stano gjatë një konference në selinë e BE’së.
Një ditë para se Bislimi të publikojë letrën me 10 pika për heqjen e masave, Stano publikoi një qëndrim tjetër të BE-së rreth operacioneve policore “në zyrat e institucioneve të drejtuara nga Serbia në komunat e Dragashit/Dragaš, Pejës/Pec, Istog/Istok dhe Klinë/Klina dhe objektet e organizatës joqeveritare Qendra për Paqe dhe Toleranca në Prishtinë.
“Mbyllja e papritur e këtyre zyrave do të ketë efekte negative në jetën e përditshme dhe kushtet e jetesës së komuniteteve serbe të Kosovës, pasi do të kufizojë qasjen e tyre në shërbimet themelore sociale duke pasur parasysh mungesën e dukshme të alternativave në këtë moment. Statusi i këtyre strukturave është paraparë të zgjidhet në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja, në lidhje me themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe.
Prandaj, BE-ja i kërkon Kosovës që të shmangë veprimet e njëanshme që mund të rrisin tensionet dhe t’i adresojë këto çështje përmes Dialogut të lehtësuar nga BE-ja” u tha në reagim./Demokracia