Qeveria “nën rrethim” nga protestat feministe, mbrohet nga Policia e Kosovës

- in Lajme

Ka mbi dy orë që ka filluar protesta për dhunimin e një vajze 11-vjeçare nga pesë persona në Prishtinë, dhe zhvillimet janë të shumta.

Protestuesit po kërkojnë që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, apo ndonjë zyrtar i Qeverisë së Kosovës, të deklarohet para tyre.

Portestuesit po vazhdojnë të kërkojnë drejtësi për 11-vjeçaren, teksa po qëndrojnë të ulur në shkallët e hyrjes së objektit të Qeverisë së Kosovës.

“Ja me neve ja me dhunues”, “me vepra e jo me statuse në Facebook”, “kontrollone parkun”, janë disa nga thirrjet e protestuesve ndaj zyrtarëve të qeverisë. Policia e Kosovës ka vendosur mbi njëzet zyrtarë policorë para objektit të Qeverisë për t’i ruajtur qeveritarët nga protestuesit.

Megjithëse numri i tyre është pakësuar, protestuesit si duket nuk e kanë ndërmend të largohen pa deklarimin e ndonjë zyrtari nga qeveria.

Gjithashtu, protesuesit kanë hedhur ngjyrë të kuqe në objekt, e në anën tjetër forcat policore vazhdojnë t’i mbajnë dyert e bllokuara.

Sipas gazetarëve të Nacionales që ndodhen në protestë, shumë protestues kanë braktisur punën për ditën e sotme për t’u kthyer në protestë.

“Kanë dalë në protestë në pauzë. Janë kthy në punë, ama përsëri janë rikthy në protestë duke e braktisë punën“, ka thënë Vullnet Krasniqi.

Deri më tash, dorëheqje për shkak të rastit të rëndë që ndodhi më 27 gusht kanë dhënë Drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, dhe një drejtor në Shërbimin Korrektues të Kosovës.

Ndërkohë, në bazë të informacioneve të fundit nga ana e gazetares Anita Nikaj, numri i policëve te objekti i Qeverisë së Kosovës është shtuar.

Po ashtu, redaksisë i është thënë se disa protestues janë ankuar se zyrtarë policorë kanë përqeshur parullat dhe brohorimat e tyre.

“Secilit prej policëve jua kena marrë numrat dhe kanë me vujtë për qet sen”, na tha njëri nga protestuesit.

Ndërkohë, raportohet edhe se ka pasur hedhje me shishe uji në drejtim të Policisë së Kosovës./Nacionale