Partia Demokratike e Kosovës sot do ta prezantojë qeverinë në hije, raporton Front Online.
Zyrtarët e kësaj partie kanë thënë se kjo qeveri në hije, do të ndihmojë interesin publik, dhe do t’i ndihmojë qytetarët ta bëjnë dallimin mes Qeverisë Kurti dhe asaj në hije të PDK-së.
Burime të Front Online kanë thënë se qeveria në hije do të udhëhiqet nga Memli Krasniqi.
Si zv/kryeministër në hije është përfolur emri i zëdhënësit të kësaj partie, Faton Abdullahu.
Pjesë e ekzekutivit që kjo parti po e formon do të jetë edhe Vlora Citaku, nënkryetarja e PDK-së.
Ajo do të udhëheqë Ministrinë e Punëve të Jashtme (MPJ).
“Kryeministër në hije do të jetë Memli Krasniqi, si zëvendës kryeministër është propozuar Faton Abdullahu, ndërkaq ministrinë e Punëve të Jashtme do ta udhëheqë Vlora Çitaku”, i ka thënë ky burim Front Online.
Qeveria në hije e PDK-së do të jetë e përbërë nga 15 dikastere, por që dallojnë nga ato që janë në Qeverinë Kurti.
“15 dikastere do të jenë, apo 15 ministri në hije por nuk do të quhen ashtu, do të jenë ndryshe. P.sh do të jetë e veçantë ajo e Diasporës, dhe jo pjesë e një tërësie”, thotë më tej ky burim.
Pjesë e kësaj qeverie në hije do të jenë persona që janë pjesë e kryesisë së PDK-së, deputetë, dhe ekspertë të jashtëm.
“Do të prezantohet secili departament veçmas, para publikut, drejtuesit e tij edhe ekipi”, tha më tej ky burim./Front Online/