QEVERIA NDAN 20 MIJË EURO PËR FAMILJEN E 11-VJEÇARIT QË U DHUNUA DHE U VRA NË FUSHË KOSOVË

- in Lajme

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka ndarë mjete financiare për familjen e 11-vjeçarit Kujtim Veselit që u dhunua dhe u vra në Fushë Kosovë.

Kryeministri Albin Kurti theksoi se për të mbështetur sa do pak në formë simbolike familjen minoritare rome, kjo qeveri ndan 20 mijë euro.

11-vjeçari, Kujtim Veseli, ishte dhunuar seksualisht për muaj me radhë. E më 11 korrik të 2019-ës ai u gjet i vrarë poshtë shkallëve të një objekt banimi në lagjen “Xhemjal Mustafa” në Fushë Kosovë.

Për dhunimin dhe vrasjen e Veselit pati reagime edhe nga shoqëria civile, madje u organizuan edhe protesta.

Në një vjetorin e vrasjes së Kujtim Veselit, aktivistët e shoqërisë civile patën zhvilluar një aksion simbolik përpara Këshillit Prokurorial të Kosovës në Prishtinë, e të cilët lansuan edhe peticionin online “Drejtësi për Kujtimin”.

Kërkesat deri në arritjen e drejtësisë për Kujtimin ishin, kërkim falje nga institucionet për familjen e Kujtimit, hetim i zyrtarëve përgjegjës për neglizhimin e rastit si dhe dëmshpërblim për familjen e Kujtimit për shkak të shkeljes së të drejtave të njeriut.

Kujtojmë se tetë muaj më parë Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykimin kundër të akuzuarit S.O për veprat penale “Vrasje e rëndë” dhe “Dhunim” ndaj të miturit Kujtim Veseli.

I akuzuari S.O është shpallur fajtor dhe është dënuar me burgim unik në kohëzgjatje prej 25 vite për veprat penale “Vrasje e rëndë” dhe “Dhunim”, në të cilin dënim do t’i llogaritet koha e kaluar nën masën e paraburgimit nga data 16.07.2019.

I akuzuari S.O me datën 11.07.2019 në Fushë Kosovë kishte detyruar të miturin të kryente akt seksual dhe pastaj kishte përdorur dhunë ndaj tij, duke e goditur me mjet të fortë, ku si pasojë e këtyre goditjeve kishte ardhur deri te vdekja e dhunshme e tij./KP