Qeveria Kurti shpërblen komunat e Vetëvendosjes

- in Lajme

Komunat që udhëhiqen nga Lëvizja Vetëvendosje pritet që të përfitojnë më së shumti nga projektet e reja kapitale të ministrive për vitin 2022.

Sipas raportit të fundit të Institutit GAP, “Ligji për Buxhet 2022: Favorizimet dhe diskriminimet e komunave në investimet kapitale”, Kamenica do të fitojë më së shumti nga këto projekte.

Komuna që udhëhiqet nga Kadri Rahimaj, pritet që të marrë 27 euro investime për kokë banori.

Veç kësaj, edhe komuna e Podujevës, e udhëhequr nga Shpejtim Bulliqi i LVV-së, është në krye të listës për më shumë përfitime. Kjo komunë, do të përfitojë investime në vlerë prej 14.54 euro për kokë banori.

“Ndërsa, projektet e ministrive në komuna në vlerë rreth 10.3 milionë euro të cilat fillojnë në vitin 2022, do të shprendahen në 20 komuna. Në raport me përqindjen e investimeve kapitale krahas popullsisë, Komuna e Kamenicës renditet e para me 27 euro investime për kokë banori. Pas saj radhiten Komuna e Vitisë me 15.65 euro dhe e Podujeves me 14.54 euro”, thuhet në këtë raport, përcjell Demokracia.com.

Tutje, GAP ka treguar edhe detaje të tjera lidhur me investimet që përfshijnë këto komuna të udhëhequra nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Komunat e qeverisura nga VV (Gjilani, Kamenica, Podujeva dhe Shtimja) përfshijnë rreth 11% të popullsisë dhe zënë 14.52% të sipërfaqes së Kosovës. Nga totali prej 96.9 millionë euro investime kapitale të nivelit qendror nëpër komuna, 11.11% do t’i përkasin komunave që menaxhohen nga kjo parti. Investimet mesatare për kokë banori te këto komuna janë 50.29 €. Ndërsa, në nivel të ministrive, parashihet që Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit të investojë 12.06% të projekteve të saj kapitale te këto komuna, MD 42.13%, MINT do të investoj 100% të projekteve të saj kapitale te komunat e udhëhequra prej VV-së, MKRS 13.39%, si dhe MMPHI e cila do të investojë 13.74% të mjeteve të saj të ndara për projekte kapitale nëpër komuna”, thuhet në këtë raport.

Raportin e plotë mund ta lexoni në këtë link: 62170_Ligji per buxhet 2022