“Qendra votimi të zbrazëta” | “Zhduken” Kurti e Osmani, asnjë mesazh për procesin e votimit në veriun e Kosovës

- in Lajme

Në qendrat e votimit në komunat veriore të Kosovës, nuk po duken askund votuesit.

Por, bashkë me votuesit janë “zhdukur” edhe presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, shkruan Demokracia.com.

Ndryshe nga procesi i kaluar zgjedhor i mbajtur para një viti kur Osmani dhe Kurti kishin drejtuar mesazhe të veçanta për qytetarët e veriut të Kosovës, që në shumicë janë serbë, kësaj radhe nuk kanë bërë asnjë adresim.

18 PRILL 2023: KURTI FTON SERBËT TË MARRIN PJESË NË VOTIM

Më 18 prill të vitit të kaluar, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte akuzuar mediet e lidhura me pushtetin në Beograd për frikësim të qytetarëve serbë para zgjedhjeve për kryetarët e katër komunave në veriun e vendit që pritej të mbaheshin më 23 prill dhe të cilat ishin bojkotuar nga Lista Serbe, subjekti kryesor politik i serbëve të Kosovës, që mbështetet nga Beogradi.

Atëherë Kurti u bënte thirrje qytetarëve në veriun e Kosovës që të dalin në zgjedhje, pasi sipas tij, në veriun e vendit ka nevojë për legjitimitet demokratik dhe funksionim institucional.

“Mua më vjen keq që qytetarët serbë të Kosovës i janë nënshtruar një propagande të egër të mediave nga Beogradi, të cilat janë të afërta me pushtetin atje që të mos tregohen konstruktivë dhe të mos e shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar”, kishte thënë kryeministri Kurti.

22 PRILL 2023: OSMANI BËN THIRRJE PËR PJESËMARRJE NË ZGJEDHJET NË VERI

Edhe presidentja Vjosa Osmani vetëm një ditë para ditës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 23 prillit u kishte bërë thirrje qytetarëve të katër komunave në veri të Kosovës, që të merrnin pjesë në procesin zgjedhor.

Osmani kishte thënë se pavarësisht se disa qytetarë të veriut kanë qenë “cak i kërcënimeve dhe frikësimeve”, pjesëmarrja në zgjedhje është në të mirë të banorëve të tyre.

“E kuptoj që shumë prej jush keni qenë cak i kërcënimeve dhe frikësimeve që janë bërë javët e fundit nga struktura kriminale me mbështetje të Beogradit, me qëllim që t’ju detyrojnë të hiqni dorë nga zëri dhe fuqia juaj për ta formësuar të ardhmen e komunave tuaja. Megjithatë, dua t’ju siguroj se të gjitha institucionet e Kosovës po bëjnë gjithçka për të siguruar që këto zgjedhje të jenë të lira dhe të ndershme dhe që siguria juaj të jetë e garantuar. Prandaj, ju bëj thirrje që të refuzoni ata që vijnë te ju me kërcënime dhe shantazhe. Ju inkurajoj që ta dërgoni një mesazh të fortë dhe të qartë me pjesëmarrjen tuaj në zgjedhjet lokale të 23 prillit 2023”, deklaronte Osmani.

Numri i qytetarëve me të drejtë vote në komunat e veriut të Kosovës është më shumë se 46 mijë, por sipas raportimeve në media, vetëm disa qytetarë, as dhjetëra sosh nuk kanë dalur të votojnë në 2-3 orët e para të votimit. /Demokracia.com/