Qendra Evropiane për Liri të Shtypit dhe Medias ka reaguar për sulmin fizik ndaj gazetarit dhe opinionistit, Valon Syla, raporton Gazeta Sinjali.
Këtë e ka bërë të ditur Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës përmes një postimi në faqen zyrtare në Facebook.
“I bëjmë thirrje autoritereve kosovare, që në mënyrë profesionale dhe të pavarur të zhvillojnë hetimet, në mënyrë që autorët të dalin para drejtësisë”, thuhet në reagimin e ECPMF .
Ndryshe Syla është sulmuar në orët e vona të mbrëmjes së shkuar nga tre persona dhe si pasojë ka pësuar lëndime trupore, për cka edhe ka marrë ndihmë mjekësore në Emergjencën e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.
E gjithë ngjarja dyshohet se ka ndodhur pak minuta pas përfundimit të emisionit ‘Pressing’ në T7, ku Syla është panelist.
Menjëherë pasi ai ka dalë nga zyrat e televizionit, tre persona dyshohet ta kenë ndjekur nga pas dhe e kanë sulmuar në kafenenë ‘Image’ duke i shkaktuar lëndime të lehta në kokë.
Shkak i sulmit dyshohet të jenë bërë komentet e Sylës lidhur me fenë islame, ku gjatë ditës së djeshme ka pasur një sërë reagimesh në llogarinë e tij në Facebook, ku ironizonte me veturën luksoze të tipit Mercedes, që iu bë dhuratë hoxhës nga Prizreni, Mazllam Mazllami.
Nga Emergjenca, Syla ka folur shkurt lidhur me sulmin.
“Dmth tre islamikë fanatikë më kanë sulmu. Shpejt e shpejt ka ndodhë edhe kanë ikë”, ka thënë ai.
Lidhur me rastin është deklaruar edhe Prokuroria Themelore në Prishtinë, ku përmes një komunikate për media ka bërë me dije se janë marrë të gjitha veprimet hetimore nga vendi i ngjarjes.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë ju njofton lidhur me rastin e gazetarit V.S., i cili ka marrë lëndime trupore si pasojë e sulmit fizik nga tre persona, me ç’ rast i njëjti ka pranuar trajtimin e nevojshëm mjekësor, derisa Prokurori i Shtetit ka dalë në vendin e ngjarjes dhe në koordinim të plotë me Policinë ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore nga vendi i ngjarjes”, thuhet në komunikatë.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit rasti është cilësuar “Lëndim i lehtë trupor”, teksa të dyshuarit nuk janë identifikuar ende.
“Janë duke u zhvilluar hetime në mënyrë intensive, me qëllim të sqarimit të rrethanave të këtij rasti, si dhe identifikimit e sigurimit të prezencës së të dyshuarve në procedurën penale”, thuhet më tej në njoftim./Sinjali