Qazim Rrahmani dorëhiqet nga posti i zëvendësministrit të Financave

- in Lajme

Zëvendësministri i Financave, Qazim Rrahmani, ka bërë të ditur se ia ka dorëzuar sot dorëheqjen e tij kryeministrit Albin Kurti.

Rrahmani ka thënë se arsyeja e këtij vendimi është që subjekti i tij politik Partia e Ashkalinjve për Integrim e ka parë të arsyeshme që kontributin i tij të jetë në një pozitë tjetër politike.

“Sot unë Qazim Rahmani kam kërkuar nga kryeministri Kurti, lirimin nga detyra e zv. ministrit të MFPT-së. Arsyeja e këtij vendimi është që subjekti im PAI ka parë të arsyeshme që kontributin im të jetë në një pozitë tjetër politike andaj kontributi dhe angazhimi im nuk do të mungoj në të mirë të komunitetit dhe subjektit politik PAI-së”, ka shkruar Rrahmani në Facebook.

Ndryshe, Rrahmani në vitin 2018 është dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë pasi ishte vërtetuar se gjatë kohës në të cilën ka ushtruar pozitën e zëvendësministrit të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, ka tejkaluar kompetencat e tij ligjore në mënyrë që t’i sjellë vetes përfitim pasuror.

Ai u dënua me 6 muaj burg, por me pëlqimin të tij, ky dënim iu zëvendësua me gjobë prej 3.000 eurove./KP