Pyetjet e vështira të Ramush Haradinajt për Kurtin e Osmanin

- in Lajme
Ramush haradinaj, aak, kryeminister, kryeministri,

Çështja e Martin Berishajt më në fund bëri që të reagojë edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili iu drejtua kryeministrit Albin Kurti dhe presidentes Vjosa Osmani, me disa pyetje.

Haradinaj lidhur me Berishajn pyeti se pse ishte e nevojshme që Martin Berishajt t’i jepej shtetësia me procedurë të përshpejtuar, derisa me nënpyetje kontestoi kohën e AKI-së për ta verifikuar aktivitetin e tij.

Lidhur me përshpejtimin e procedurave për ta bërë Berishajn sa më shpejt kosovar, ka reaguar edhe nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku.

Ish-ambasadorja ka pyetur a ka kaluar nëpër hallkat e sigurisë nga AKI-ja?

Shkarkimi as që duhet të diskutohet. Pastaj drejtësia do ta thotë fjalën e vet, mirëpo ne kemi disa pyetje: Si e ka marrë z. Berisha nënshtetësinë një ditë para se të bëhej ambasador, a kaluar në hallkat e sigurisë, a ka bërë verifikime nga AKI-ja dhe si është bërë ky verifikim”, ka pyetur Çitaku.

Tutje, Haradinaj e pyeti Kurtin lidhur me kompaninë GEN, për të cilën kryeministri sa ishte në opozitë, e quante kompani mafioze, e nga e cila po del që ambasadori Martin Berishaj të ketë përfituar para.

Pyetja tjetër pati të bëjë me mosdeklarimin e kësaj kompanie, në emër të së cilës Berishaj mori para nga GEN-i serb – lidhur me këtë çështje, Nacionale ka raportuar ekskluzivisht.

Hezitimin e VV-së për të themeluar komision parlamentar, Haradinaj e lidhi pikërisht me këtë skandal, për të cilin pyeti nëse kjo është arsyeja pse pushteti nuk ka gatishmëri t’ia lë opozitës hetimin e menaxhimit të krizës energjetike.

Sipas Haradinajt, institucionet e rendit dhe drejtësisë duhej të merreshin me këtë skandal, por meqë s’po ka njoftime, i pari i AAK-së pyeti nëse të njëjtat po pengohen.

Për ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, mediat raportuan lidhur me një skandal në Slloveni, ku diplomati kosovar përfitoi para nga GEN-i serb, e nga llogaria përfituese ia ka çuar Robert Golob – liderit të partisë Lëvizja për Liri, që tash i fitoi zgjedhjet dhe pritët të bëhet kryeministër i Sllovenisë.

Berishaj nuk u deklarua lidhur me skandalin, përveç se premtoi që do ta padisë median raportuese në Slloveni për shpifje.

Opozita ka kërkuar shkarkimin e ambasadorit pas skandalit, por që katër ditë nga skandali, qeveria ende nuk ka marr ndonjë veprim.

Përkundër reagimeve rreth skandalit që erdhën nga opozita dhe eksponentët komentues të politikës vendore, presidentja Vjosa Osmani tha se ambasadori e gëzon mbështetjen e saj.

Njëkohësisht, Kurti nuk e ka komentuar skandalin e ambasadorit, pos që ka përsëritur fjalët e të njëjtit kur thotë se do t’i padisë mediat./Nacionale