PSRK sekuestroi 60 mijë euro të ‘paluara’, Mujka vjet deklaroi pasuri të majme

- in Lajme

Kryeshefi ekzekutiv i Ndërmarrjes Hidroekonomike ‘Ibër Lepenc’, Faruk Mujka, ka rënë sot në prangat e Policisë pas një aksioni të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës. Ai dyshohet se gjatë kohës që ishte pjesë e udhëheqësisë në Komunën e Mitrovicës, është përfshirë në kryerjen e veprës penale ‘Keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar’. E gjatë bastisjes së shtëpisë së tij dhe të Hysen Muzliukaj, këshilltarit të ministrit, Faton Peci, autoritetet gjetën dhe sekuestruan 60 mijë euro të thata, raporton Gazeta Sinjali.

E në deklarimin e tij të pasurisë në vitin 2022, Mujka shihet se qëndron goxha mirë financiarisht, pasi që ka deklaruar se ka tri banesa [një në pronësi të bashkëshortes] dhe një shtëpi.

Tri banesat që posedon, kapin vlerën e 120 mijë eurove, ndërsa shtëpia e cila është në pronësi të prindit të tij, kushton 200 mijë euro.

Si pasuri të luajtshme, Mujka ka delaruar një veturë Volksëagen Passat e cila ka vlerën e 4 mijë e 500 eurove dhe është në pronësi të bashkëshortes së tij.

Ai ka deklaruar në vitin 2022 se bashkë me bashkëshorten e tij, marrin 9 mijë e 200 euro të hyra vjetore.

Mujka i Lëvizjes Vetëvendosje vitin që lamë pas u shpërblye nga partia me pozitën e kryeshefit në ‘Ibër Lepenc’. Ai ka qenë edhe kryetar i Degës së VV-së në Mitrovicë dhe nënkryetar i Komunës në kohën e udhëheqjes së Agim Bahtirit.

Gjatë aksionit të sotëm të PSRK-së, u arrestua poashtu edhe Hysni Muzliukaj, këshilltar i ministrit Faton Peci.

Nëpërmjet një komunikate për media, Prokuroria Speciale njofton se ekziston dyshimi i arsyeshëm se të pandehurit Faruk Mujka dhe Hysen Muzliukaj, në cilësi të personave zyrtarë, me dashje kanë shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar me qëllim të përfitimit të dobisë së kundërligjshme pasurore për vete apo për tjetrin, kanë tejkaluar kompetencat e tyre zyrtare dhe nuk i kanë respektuar detyrat dhe përgjegjësitë e tyre që të ushtrojnë funksionin e tyre në bazë të ligjit.

“Pas marrjes së informacionit në bazë të autorizimeve të PSRK-së, Policia e Kosovës ka ndërmarrë një sërë veprimesh hetimore, ndërsa me datë 03.07.2023, ka paraqitur Kallëzim Penal ndaj zyrtarëve me inicialet F.M. dhe H.M., me dyshimin se gjatë kohës sa ishin pjesë e udhëheqësisë në komunën e Mitrovicës së Jugut, gjatë vitit 2021, janë përfshirë në kryerjen e veprës penale ‘’Keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar’’, e sanksionuar me nenin 414 të Kodit Penal të Republikë së Kosovës”.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali