PSD proteston kundër ujdisë Kurti – Vuçiq, Molliqaj: Nesër kërkojmë dorëheqjen e kryeministrit

- in Lajme

Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, një ditë përpara protestës së thirrur nga kjo parti ka thënë se një javë pas marrëveshjes së Ohrit, ajo që mund të konstatohet është se ka një marrëveshje që sipas tij është pa mbështetje politike, pa legjitimitet e me shumë kundërshtim popullor.

Molliqaj tha se ajo që tashmë dihet është se nga kjo marrëveshje s’do të ketë njohje nga pesë vendet anëtare të BE-së që s’e njohin Kosovën, s’ka premtim ndërkombëtar në NATO, s’ka njohje nga Serbia e ka veç obligime për Kosovën.

“Ajo që mund të shihet është që qytetarët, partitë politike, opinionistët janë kundër kësaj marrëveshjeje. Në muajin mars, nga matjet e opinionit publik, mbi 75 për qind e qytetarëve janë kundër këtyre marrëveshjeve, e në veçanti qendrës së saj, Asociacionit”, është shprehur Molliqaj.

Tutje, ai i bëri thirrje qeverisë që të rilegjitmohet, duke kërkuar kështu zgjedhje të reja, si shkak i zhvillimeve të ndodhura.

Postimi i plotë:

Rrenat që pushteti i përdorte për ta arsyetuar marrëveshjen i patën këmbët e shkurtëra. Propaganda nuk iu eci. Revolta e madhe qytetare është dëshmia për këtë.

Tashmë, 1 javë pas dakordimit në Ohër, po e kuptojmë qartë se çka lë të kuptojë Plani Evropian dhe Aneksi i Zbatimit.

Në njërën anë, marrëveshja normalizon mosnjohjen në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe, me vullnetin politik të Kurtit, Kosova heq dorë nga kërkesa për njohje.

Në anën tjetër, Kosova, me vullnetin politik të Kurtit, merr përsipër të krijojë Asociacion njëetnik me autonomi substanciale si formë e pushtetit paralel përballë pushtetit qendror.

Marrëveshja është jashtëzakonisht e dëmshme. Prandaj rezistenca duhet të jetë e përbashkët e masive. Nesër, me 25 mars, protestojmë duke kërkuar dorëheqjen e Kurtit. Ky kryeministër nuk ka legjitimitet të nënshkruajë marrëveshje të tillë.

Me këtë rast falënderojmë NISMA-n Socialdemokrate, organizatën OVL-UÇK dhe personalitetet publike të shqetësuar me cënimin që po i bëhet demokracisë.

Shihemi në protestë!

/GazetaSinjali/