Partia Social Demokrate e Kosovës gjatë ditës së sotme ka zhvilluar një aksion para ambasadës së Gjermanisë në Prishtinë.
Ata kanë vendosur një faturë para ambasadës lidhur me mjekët dhe infermierët që ky shtet po ia merr Kosovës.
Zgjim Hyseni nga kjo parti tha se Gjermania po eksporton mallra në Kosovë e po importon njerëz, duke iu referuar numrit të madh të mjekëve të cilët kanë shkuar në këtë vend.
Sipas tij, vetëm në katër muajt e fundit 91 mjekë kanë ikur nga Kosova e të cilët po të shkolloheshin në Gjermani do të kushtonin 200 mijë euro.
Oda e Mjekëve në Gjermani sugjeron rritjen e numrit të studentëve të mjekësisë për 4000-5000 vende të reja. Por, kjo nuk ndodh sepse kostoja qenka e lartë, kurse nga Ballkani dhe Amerika Latine po i marrin falas. Oda e Mjekëve të Kosovës tregon se vetëm 4 muajt e parë të këtij viti, nga Kosova kanë ikur 91 mjekë. Secili prej tyre, po të shkollohej atje do të kushtonte 200 mijë euro. Janë 18. 2 milionë donacion nga popull i Kosovës solidaritet për “Gjermaninë e varfër”. Nëse ia shtojmë kësaj edhe 9 milionë për 300 infermierë, shifra për 4 muaj shkon në 27.2 milionë. Nëse llogarisim se kjo dinamikë vazhdon gjatë krejt vitit, i bie se Kosova ia kursen Gjermanisë 81.6 milionë euro. Dhe mos harroni se ky fenomen nuk ka nisur këtë vit, por ka së paku 5 vitet e fundit që vazhdon intensivisht’’, ka thënë Hyseni.
Vazhdimi i tij me këtë ngritje intensiteti do ta gjejë Kosovën me mungesë mjekësh për 3-4 vjet e ardhshme, ka shtuar më tutje Hyseni./Express