Prokuroria për vrasjen në Mitrovicë: Me të dyshuarin ka qenë edhe një polic

- in Lajme

Prokuroria Themelore e Mitrovicës Prokuroria ka dhënë detaje për vrasjen e një personi dhe plagosjen e dy të tjerëve në Mitrovicë, duke thënë se me të dyshuarin ka qenë edhe një zyrtar policor jashtë detyrës, por sipas informacioneve të para i njëjti nuk është kryerësi i vrasjes.

Prokuroria thotë se sot rreth orës 11.30 si pasojë e një konflikti të çastit në Tregun e Gjelbërt në Mitrovicë, një person ka mbetur i vrarë dhe dy të tjerë janë plagosur, njëri prej të cilëve kalimtar i rastit.

“I dyshuari për këtë rast është arrestuar nga policia dhe ndaluar me vendim të prokurorit. Të plagosurit janë dërguar për trajtim të mëtejmë në Spitalin e Mitrovicës, ndërkaq trupi i të vrarit me urdhër të prokurorit është dërguar për autopsi në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë. Prokuroria njofton opinionin se me të dyshuarin ka qenë edhe një zyrtar policor jashtë detyrës, por sipas informacioneve të para i njëjti nuk është kryerësi i vrasjes. Rasti është kualifikuar “Vrasje e rëndë”, dhe është duke u hetuar nga Prokurori i Shtetit në koordinim me Njësitin e Hetimeve Rajonale të Policisë në Mitrovicë”, thuhet në njoftim./KP