Prokurori i Shtetit nis hetimet për dyshimet për ryshfet në Ministrinë e Liburn Aliut

- in Lajme

Prokurori i Shtetit ka nisur hetimet në rastin e audio-incizimeve të publikuara dje, në lidhje me dyshimet për ryshfet në Ministrinë e Infrastrukturës.

Këtë e ka konfirmuar vet ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit, Besim Kelmendi.

“Iu njoftoj se lidhur me rastin, prokurori i shtetit ka filluar procedurën për verifikimin dhe hetimin e pretendimeve të ngritura”, ka thënë Kelmendi për Nacionale.

Web-emisioni “Ditari i Buzhalës” gjatë ditës së djeshme ka trajtuar një rast korrupsioni ku përmendet edhe emri i ministrit Liburn Aliu, dhe ku nuk mungojnë shumat astronomike, pushteti e ryshfeti, dhe daja e nipi.

Për këto audio-incizime ka reaguar edhe vet Florian Ramqaj, këshilltar i Ministrit Liburn Aliu emri i të cilit i tij u përmend.

Ramqaj ka thënë se s’ka asgjë të vërtetë, duke i quajtur këto raportime shpifje. Madje, ka paralajmëruar edhe padi.

“Nuk ka asgjë të vërtetë te sulmet me shpifje, përveç faktit se shpifjet po porositen nga ata që janë stërpasuruar padrejtësisht. Nga ata që ne ua kemi ndalë hajninë.

Pikërisht në kohën kur lëre që nuk ka keqpërdorime por edhe ku janë duke u luftuar e denoncuar cdo ditë keqpërdorimet e mëdha që kanë ndodhur, sidomos në ministrinë Infrastrukturës, sot qenka publikuar një emision, ku për ironi lakohet emri im për kinse keqpërdorime”, ka shkruar Ramqaj në Facebook.

Ndërkaq, zëdhënësi i Qeverisë Kurti, Përparim Kryeziu është deklaruar për audio-incizimet e publikuara dje në lidhje me dyshimet për ryshfet në Ministrinë e Infrastrukturës, në të cilat përmendet emri i ministrit Liburn Aliu.

Kryeziu tha se videos që publikuar i mungojnë faktet teksa shtoi se kjo mund të jetë një përpjekje për të krijuar një “Pronto 2”.

“E pash videon, të cilës i mungonin faktet, por kishte me bollëk interpretime e narracione. Ndoshta është përpjekja për të krijuar një “Pronto 2” por kjo nuk ndodh me Qeverinë Kurti. Motivi tjetër mendoj është që nëse ka diçka që është e pakontestushme për Qeverinë Kurti është fakti që kjo qeveri nuk ka korrupsion”, tha Kryeziu. /Gazetametro/