Pas sanksioneve të vendosura nga SHBA-të ndaj Zvonko Veselinoviq e Milan Radojcic dhe grupit kriminal të cilët veprojnë në veri të Kosovës dhe në Serbi, ka reaguar edhe profesori universitar Arben Hajrullahu.
Përmes një postimin në rrjetin social “Twitter”, profesori Hajrullahu ka ndërlidhur lidershipin në Serbi, përfshirë Ambasadorin e Serbisë në SHBA Marko Gjuriq dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Serbisë Nikola Selakoviq, me krimin e organizuar.
Sipas Hajrullahut fotografitë ku shihen së bashku Radojcic, Gjuriq dhe Selakoviq, janë shembulli më i mirë i bashkëjetesës mes lidershipit serb dhe krimit të organizuar.
Lidershipi i Serbisë njihet për bashkëpunim të afërt me grupin kriminal të serbëve të Kosovës, ndaj të cilëve administrata amerikane ka vendosur sanksione për shkak të aktiviteteve të jashtëligjshëm të tyre si trafikimi i mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve mes Kosovës dhe Serbisë.
Milan Radojcic aktualisht është nënkryetar i partisë “Lista Serbe” e cila shpeshherë është akuzuar nga shoqëria civile dhe organizatat ndërkombëtare për presion ndaj votuesve serb në komunat e banuara me shumicë serbe, përmes bashkëpunimin me strukturat paralele serbe dhe grupet kriminale.