Produkte pa afat e reklama mashtruese – Për 8 muaj, mbi 2 mijë ankesa nga konsumatorët

- in Ekonomi

Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorit, ka njoftuar për numrin e ankesave të pranuara në këtë departament gjatë periudhës Janar – Shtator 2022.

Një njoftim në facebook, i lëshuar nga ky departament tregon se që nga fillimi i vitit, konkretisht nga muaji janar 2022 e deri në shtator janë pranuar në total 2152 ankesa, ku 1436 prej tyre janë të zgjidhura ndërsa 716 janë ende në proces.

Siç thuhet në këtë njoftim, ankesat e konsumatoreve konkretisht janë adresuar në fushën e energjisë, tregtisë, shëndetësisë, ushqimit, shërbimeve financiare si dhe të blerjeve online.

DMK, specifikisht tregon se gjatë muajit qershor, ka pranuar gjithsej 171 ankesa, të cilat kryesisht kanë të bëjnë me mospërputhje e çmimeve dhe mosdhënien e kuponave fiskal.

Ata gjithashtu pohojnë se gjatë muajit korrik kanë pranuar 173 ankesa ku konsuamtorët janë ankuar për reklamat mashtruese dhe për shërbime jocilësore të produkteve, si dhe gjatë muajit gusht kanë pranuar gjithsej 203 ankesa të cilat kanë të bëjnë me produkte me afat të skaduara, mospërfillje e garancionit si dhe mospërputhje te çmimeve.

Në krahasim me vitin e kaluar, siç thuhet në njoftim në Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorit janë pranuar gjithsej 1984 ankesa.

“Për më shume informata rreth statistikave të ankesave, kjo është faqja ku mund te keni qasje: https://konsumatori.rks-gov.ne…”, përfundon njoftimi i tyre.

/GazetaSinjali/