Procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Haziri: S’duhet të ndërtohet debat përçarës në Kosovë

- in Lajme

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka folur për procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në një intervistë për ABC News Albania, Haziri ka thënë se nuk ka informacione lidhur me personat që do të dëshmojnë në Hagë, teksa është shprehur se Kosova duhet të tregohet e kujdesshme dhe të mos krijojë debat përçarës.

“Periudha kohore që kanë mandatin Dhomat e Specializuara flet për 1 janar 1998-21 mars 1999, brenda kësaj periudhe Dhomat e Specializuara kanë ndërtuar hetimet. Debati që po zhvillohet në Kosovë është duke shkaktuar zhurmë. Ne nuk i njohim dëshmitarët dhe nuk i dimë se cilët janë. Dëshmitarët mund të implikojnë edhe të tjerët edhe vetveten, dhe procesi si i tillë pritet të dëshmojnë për të sjellë drejtësi për një numër të madh të të vrarëve gjatë luftës. Gjatë kësaj kohe, nuk duhet të ndërtohet debat përçarës në Kosovë”, ka thënë Haziri.

Ai po ashtu u pyet nëse LDK-ja vazhdon të mbështes Specialen.

“Askush në Kosovë nuk mund t’i thotë jo Dhomave të Specializuar. Ajo është institucioni i Kosovës përveçse paguhet nga BE. A kemi dashur një institucion të drejtësisë në Holandë dhe të drejtuar nga gjyqtarë ndërkombëtarë, natyrisht që jo”, u përgjigj nënkryetari i LDK-së.

Sipas Hazirit, katër ish-krerët e UÇK-së duhet të dëshmojnë pafajësinë para drejtësisë. Ai shtoi se Kosova duhet të jetë e kujdesshme, që mos të drejtojë gishtin e fajësisë para kohe, por të presë verdiktin e gjykatës.

“Unë mund të flas vetëm në emrin tim, sepse LDK-ja për këtë çështje e ka qëllimin e drejtë. Në vetë faktin që kemi një proces gjyqësor, pafajësia e tyre duhet të dëshmohet aty dhe ky mendoj se është qëllimi i atyre. Pastërtia e luftës dhe pastërtia e të kaluarës, duhet të dëshmohet aty. Ne nuk duhet të lejojmë, dhe të mos biem në grackën e armiqve, dhe të kundërshtuesve të pavarësisë së Kosovës, të përçahemi dhe të drejtojmë gisht para kohe dhe kur flet drejtësia, të tjerët duhet të heshtin. Tani është koha për të heshtur dhe me prit verdiktin e kësaj gjykate”, tha ai.

I pyetur nëse beson tek pafajësia e ish-drejtuesve të UÇK-së, Haziri dha mendimin e tij personal dhe jo atë të LDK-së.

“Se sa besoj individualisht, unë besoj në pafajësinë e luftës dhe të kryengritjes së armatosur të djemve dhe burrave të Kosovës, që në momentin kur u humb kuptimin që me reziztencë paqësore të arrihen qëllimet tona për të qenë të lirë dhe të pavarur, kryengritja e armatosur ishte hapi i fundit, sespe pragun e shtëpisë dhe pragun e derës tonë nuk e mbron askush, përveç nesh”, shtoi ai.

/GazetaSinjali/