Problemet me furnizim me energji elektrike, pritet të vazhdojnë edhe javën e ardhshme, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Kështu konfirmoi përfaqësuesi i KOSTT-it, Evetar Zeqiri pas takimit me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.
Zeqiri ka deklaruar para mediave se problemi me energji elektrike është i përkohshëm dhe siç tha ai pritet të zgjasë vetëm këtë javë dhe javën tjetër dhe më pas ngarkesa pritet të ulet.
Ai tha se nuk ka mungesë të energjisë elektrike në kuptimin që prodhimi është në maksimum, por shtoi se në zona të caktuara janë të detyruar të bëjnë reduktime për shkak të mbingarkesës.
“Ne jemi duke i adresu të gjitha problemet, jemi në fazat e fundit të kompletimit të punimeve. Jemi ballafaquar me shumë pengesa ligjore e administrative, nga harta zonale, problmet me prona, vendimet gjyqësore të padrejta. Ne kemi finalizu ndërtimin e nënstacionit në Fushë Kosovë, i cili e ka zgjidhë problemin e Fushë Kosovës dhe Obliqit dhe më nuk do të ketë ndërprerje. Çështja e Ferizajt është në fazën finale, kemi shpresuar që do të kryhet në fund të vitit, por ngarkesa është shumë e madhe. Në raste të caktuara, në zona të caktuara si pasojë e ngarkesës së madhe kërkohet një reduktim i pjesshëm. Është me rëndësi me sqaru që në asnjë moment as nuk ka pasë mungesë të energjisë, as reduktime në bazë të diskrecionit. Pra, jemi të detyruar vetëm në këto zona e nuk ka të bëjmë me asnjë çështje që po ngritet në opinion publik.
Problemi është i përkohshëm vetëm në këtë javë dhe në javën tjetër dhe pas kësaj pritet të çlirohen kapacitet dhe të ulet ngarkesa dhe nuk do të ketë pengesa. Nuk ka mungesë të energjisë elektrike në kuptimin që prodhimi është në maksimum, ne po operojmë me katër blloqe, përveç një blloku që nuk është në funksion”, tha ai para mediave.
Ndërkaq, Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli pas takimit me përfaqësues të KOSTT dhe KEDS tha se ka kërkuar nga të dy operatorët të bëjnë të pamundurën që ekipet në terren të sanojnë në masën e mundshme të gjitha lokacionet ku ka probleme, shkruan gazeta online Reporteri.net.
“Përgjatë takimit, unë i përcolla të gjitha ankesat e qytetarëve përgjatë ditëve të fundit, veçanërisht në zona të caktuara, dhe nga njëra anë kërkova nga të dy operatorët të bëjnë të pamundurën që ekipet në terren të sanojnë në masën e mundshme të gjitha lokacionet ku ka probleme dhe nga ana tjetër është tepër me rëndësi që investimet në nivel të transmisionit që janë duke u bërë e që janë afër, si nënstacioni i Ferizajt, rajoni që ka më së shumti problem të vazhdojnë me intensitet të madh, e kjo u informova se pritet të ndodhë brenda disa javësh. Kërkova që të kenë problem sa më të madh dhe më të qartë me qytetarët për natyrën e problemeve.
Kërkojmë angazhim maksimal dhe seriozitet maksimal për adresimin e situatës, njëkohësisht nga qytetarët kërkojmë që ti përcjellin informimet e njëkohësisht edhe këshillat që jepen për menaxhim të situatës”, tha Rizvanolli./Demokracia