Privati ia ‘gëlltit’ QKUK-së anesteziologët

- in Lajme

Tre anesteziologë e braktisën QKUK-në gjatë dy javëve të fundit. Këta e lanë publikun për ta vazhduar kështu punën në sektorin privat, aty, ku rrogat për ta, po dalin të jenë shumë më të majme, krahasuar me sektorin publik. E në vitin 2020, QKUK-në e kanë braktisur 17 anesteziologë, ndërsa dy prej tyre kanë ndërruar jetë.

Por sherrin, largimit të këtyre anesteziologëve po ia shohin pacientët e QKUK-së.

Si rrjedhojë e mungesës së tyre, në shumë klinika të këtij institucioni shëndetësor janë krijuar lista të pritjes.

Në të gjithë QKUK-në për momentin janë vetëm 51 anesteziologë të cilët duhet të shërbejnë për 40 njësi punuese, 3 njësi intensive dhe emergjencën.

E kjo situatë po shihet shqetësuese nga ana e profesionistëve shëndetësorë. Sipas drejtorit Gazmend Spahia, puna në këto kushte në QKUK është shumë e vështirë të realizohet.

“51 anesteziologë i kemi. Para dy javëve, tre anesteziologë e kanë nënshkrua draftin me e lëshu punën. Po flitet edhe për të tjerë, por zyrtarisht nuk kam ende asnjë kërkesë. Po është shumë i vështirë menaxhimi, sepse me punu në 40 njësi punuese me i mbajt 3 njësi intensive, emergjencën e sallat operative po është shumë vështirë”, deklaron Spahia.

“Ne kemi listë të gjatë të pritjes në Klinikën tonë për intervenime. Ka ndikuar mos-furnizimi me material por edhe mungesa e anesteziologëve. Ka disa anesteziologë që po ikin, ne po pësojmë. Sepse anesteziologët tanë po i marrin me shërbye në intensive dhe normalisht pastaj që krijohen probleme”, kishte thënë Jashanica për Nacionalen.

Nga QKUK-ja u largua edhe edhe ish-drejtori i ORL-së Hajdin Thaqi

Për dekada ka shërbyer në Klinikën e ORL-së së Qendrës Klinike Universitare të Kosovës. Por, doktorin, Hajdin Thqi, më nuk do të mund ta gjejmë në këtë klinikë.

Ai përfundimisht e ka lënë punën në institucionin publik, QKUK. Këtë e ka konfirmuar për Nacionalen vet mjeku Thaqi.

“Po, e kam lënë punën në QKUK. Kjo ka ndodhë për arsye personale dhe ka të bëjë me shëndetin. Vendimi është i pakthyeshëm”, ka thënë Thaqi për gazetën.

Podujevën për 7 muaj e braktisën 7 mjekë të përgjithshëm

Edhe në komunën e Podujevës përgjatë këtyre muajve të fundit, shumë mjekë e kanë lënë punën duke shkuar për të shërbyer kështu kryesisht në Gjermani.

Kështu po deklaron për Nacionalen, drejtori i Shëndetësisë, Driton Veliu.

“Prej fillimit të vitit 2022 në komunën tonë mbi 7 profesionist shëndetësor kanë braktisur vendet e punës. Të gjithë këta kanë qenë mjekë të përgjithshëm. Ndërkohë i kam edhe dy paralajmërime nga dy mjeke se do ta lëshojnë vendin e punës”, thotë ai.

Por, ai paralajmëron se nëse vazhdohet me këtë trend, atëherë disa sektore në këtë komunë jetike siç janë reparti i gjinekologjisë, rrezikojnë të mbyllen.

“Në QKMF-në ne Podujeve i kemi pasë në punë dy gjinekologe, njëra e ka lënë punën. Për momentin e kemi vetëm një. Nëse kjo e lë punën, atëherë do të detyrohemi që ta mbyllim repartin e maternitetin”, sqaron ai.

E shumë mantel bardhë të tjerë kosovarë përfshirë këtu edhe specialistët e anesteziologjisë po e lënë punën shtetërore, duke preferuar që të punojnë në institucione private apo edhe jashtë vendit./Nacionale.com/