Pas më shumë se dy orë takim me dyer të mbyllura me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, i Dërguari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, tha se delegacioni i emisarëve ndërkombëtarë ka pritur më shumë mirëkuptim rreth mundësive që ofron propozimi për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, raporton Gazeta Sinjali.
Lajçak tha se qëllimi i takimit me Kurtin ishte propozimi për normalizim të marrëdhënieve që u prezantua në muajin shtator dhe pastaj në dhjetor.
“Është shumë herët për të bërë deklarata dramatike, sepse, siç e dini, ne jemi në mes të misionit tonë dhe do të vazhdojmë për në Beograd, kështu që nuk kam shumë çfarë të them. Por, dua të them se megjithatë, në këtë pikë, ne kemi pritur që të kuptohen më mirë mundësitë që i ofron ky propozim. Shpresoj të mbërrijmë atje, te mirëkuptimi i plotë, si dhe shfrytëzimi i plotë i potencialit që ka ky propozim. Ne do të vazhdojmë të punojmë në këtë”, tha Lajçak të premten në Prishtinë.
Por për çfarë propozimi bëhet fjalë?
Propozimi i BE-së apo plani franko-gjerman, iu dorëzua autoriteteve në Prishtinë dhe Beograd në fund të verës dhe mbështetet nga Franca, Gjermania dhe SHBA-ja.
Zyrtarët në Prishtinë kanë thënë se ky propozim paraqet një bazë të mirë për të vazhduar dialogun me Serbinë, ndërsa ata në Beograd kanë thënë se nuk është i favorshëm për ta.
Plani, në të cilin ka pasur qasje REL, parasheh të drejta të barabarta për Kosovën dhe Serbinë, respektim të integritetit territorial, paprekshmëri të kufijve, njohje të simboleve shtetërore dhe një aranzhim të veçantë për komunitetin serb në Kosovë.
Në dokument nuk përmendet njohja e ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë apo anëtarësimi i Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara – për të cilat gjëra insistojnë publikisht zyrtarët kosovarë – por theksohet mbështetja që palët duhet t’i japin njëra-tjetrës në procesin e integrimeve evropiane.
Nga Serbia, po ashtu, kërkohet që të mos e pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.
Disa burime në Bruksel dhe në kryeqytetet kryesore evropiane e konfirmuan vërtetësinë e propozimit.
Propozimi i ka dhjetë pika dhe nëse palët pajtohen me të, ai do të hapë rrugën për vazhdimin e dialogut drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese.
Sipas propozimit, palët do të zhvillonin marrëdhënie të mira fqinjësore mes vete, duke u bazuar në të drejtat e barabarta, si dhe do t’i njihnin simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë pasaportat, targat e veturave, diplomat dhe vulat doganore.
Të gjitha mospajtimet, sipas këtij propozimi, Kosova dhe Serbia do t’i zgjidhnin me mjete paqësore, duke u përmbajtur nga kërcënimet apo përdorimi i forcës.
Një ditë para vizitës së të dërguarve të posaçëm perëndimorë në Kosovë dhe në Serbi, këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se nuk pret ndonjë zgjidhje gjatë takimeve të 20 janarit, por theksoi se “është një pikë e rëndësishme kthese” dhe se “shpresojmë në këtë proces – në javët e ardhshme, të shohim përparim të vërtetë”.
“Arsyeja përse SHBA-ja po i bashkohet kësaj vizite, ka të bëjë me rëndësinë që i kushtojmë këtij procesi dhe mbështetjen tonë për këtë proces. Ne shpresojmë në këtë proces – në javët e ardhshme, ne shpresojmë të shohim përparim të vërtetë”, ka thënë Chollet.
Ndryshe, Kurti priti në takim përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, këshilltarët për polikë të jashtme dhe siguri të kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz dhe presidentit të Francës, Emmanuel Macron, Jens Plötner dhe Emmanuel Bonne, këshilltarin diplomatik të kryeministrit të Italisë, Francesco Maria Talò dhe zëvendësndihmës sekretarin e Shteteve të Bashkuara për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike dhe njëherësh të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Kjo vizitë e nivelit të lartë vjen në vazhdën e paralajmërimeve për arritjen e një marrëveshjeje bazë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, mbi bazën e planit të BE-së, apo të ashtuquajturin planin franko-gjerman për dialogun.
Pas vizitës me Kurtin, delegacioni BE-SHBA do të vizitojë Beogradin, ku pritet të takohen edhe me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.