Numri i rasteve të dhunës në familje në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Çdo ditë raportohen ngjarje të tilla, ku viktima zakonisht janë gratë dhe vajzat që përjetojnë dhunë fizike e psikike nga burrat me të cilët vendosin ta kalojnë jetën, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë është denoncuar edhe dje pas mesnate në fshatin Bardhosh të Prishtinës, ku një 31-vjeçare ka kërkuar ndihmën e Policisë, si pasojë e dhunës së ushtruar nga bashkëshorti i saj, P.G.
Sinjali mëson se 28-vjeçari po dyshohet se ka sulmuar fizikisht gruan e tij, të cilën e ka goditur në kokë e më pas e ka zvarritur për flokësh, duke i shkaktuar kështu lëndime trupore.
Si rezultat i denoncimit, njësitë policore kanë arritur që ta arrestojnë burrin e dyshuar, i cili më pas u shoqërua në stacion policor për intervistim.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimin për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.