“Plisat” në fazën e eliminatoreve i pret skuadra hungareze Ferencvarosi.
Kampioni i Superligës së Kosovës Prishtina ka fituar finalen e sotme të fazës preliminare të Ligës së Kampionëve kundër Inter Escaldes, përcjell KosovaPress.
Pas 90’ minutave lojë, rezultati përfundimtar është 2:0 në favor të prishtinasve, ku të dy golat i ka shënuar mesfushori 26 vjeçar Endrit Krasniqi.
Fillimisht, Krasniqi e zhbllokoi rezultatin në minutën e 45’ të pjesës së parë, kurse golin e dytë dhe të fundit të ndeshjes e shënoi në minutën e 58’.
Me këtë fitore, “Plisat” do të përballen me kampionin e Hungarisë Ferencvarosin në fazën e eliminatoreve të Ligës së Kampionëve.
E deri tek kjo fazë, Prishtina në gjysmëfinale të preliminareve e mposhti kampionin e San Marinos Folgoren, me rezultat 2:0, rezultat ky i cili u përsërit edhe sot në finale kundër Inter Escaldes./KP