Prishtina fiton derbin ndaj Pejës

- in Sport

Sigal Prishtina ka shënuar sonte fitore ndaj Pejës me rezultat 94:84, në kuadër të javës 22 në Superligën e Kosovës në basketboll.

Mysafirët në çerekun e parë kishin epërsi deri në 14 pikë, 13:27, kurse kjo pjesë përfundoi 18:29. Por, kundërpërgjigjja e vendasve nuk vonoi shumë dhe me kalimin e minutave ngushtuan epërsinë deri në një pikë, derisa pjesa e parë përfundon 47:48.

Në periudhën e tretë, Prishtina arriti epërsinë në 9 pikë 65:56, ndërsa rezultati në semafor pas 30 minutash ishte 69:64. Bardh-e-kaltrit kishin epërsi konstante në 10 minutat e fundit që shkoi deri në 12 pikë, ndërsa tre minuta nga fundi, pejanët ngushtuan në 81:77, por Prishtina menaxhoi lojën dhe në fund shënoi fitore.

Te prishtinasit u dalluan Tevin Mack me 37 pikë e 10 kërcime dhe Nigel Johnson me 25 pikë, ndërsa te pejanët Brandon Walters me 29 pikë e 16 kërcime dhe Rron Grapci me 21 pikë.

Sigal Prishtina ka 8 fitore dhe 14 humbje, ndërsa Peja 12 fitore dhe 10 humbje. /KosovaPress