Komuna e Vushtrrisë ka ndërpre bashkëqeverisjen me Lëvizjen Vetëvendosje në këtë komunë. Kjo pasi që Vetëvendosje nuk përkrahi të enjten planin për rimëkëmbje ekonomike të prezantuar në mbledhjen e kuvendit komunal. Kështu tha kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri.
Tahiri në konferencë të jashtëzakonshme për media ka theksuar se mospërkrahja e planit për rimëkëmbje ekonomike është e vetmja arsye e prishjes së koalicionit trevjeçar.
Tahiri ka treguar se deri në fund të mandatit do të vazhdojnë të vetëm dhe nuk do të kenë asnjë koalicion tjetër.
“Nuk mund të lejoj si kryetar komune një kryesi që merr një vendim politik për të mospërkrahur një plan vendimtar për të dalë nga kriza e madhe si rezultat i pandemisë të vazhdojnë të qëndrojnë në bashkëqeverisje prandaj ne kemi ardhur deri në këtë moment. Kur kemi hyr në bashkëqeverisje tri vitet më parë shumë njerëz kanë ngritur këtë pyetje ‘A do të funksionojë’? Atëherë kame besuar të qytetarët e Vushtrrisë dhe të Kosovës që do ta mirëkuptojnë dhe sot poashtu besoj fuqishëm që qytetarët e Vushtrrisë dhe gjithë Kosovës do të mirëkuptojnë këtë vendim tonin[… ]Arsyeja e vetme pse unë kam vendosur të ndërpresë këtë bashkëpunim bashkë me degën e LDK është mosvotimi i planit të rimëkëmbjes ekonomik, nuk kam asnjë arsye tjetër”, tha Tahiri.
Tahiri ka ftuar asamblistët e Komunës së Vushtrrisë që të përkrahin vendimet dhe politikat të cilat janë në interes të qytetarëve
“Ne do të vazhdojmë të qeverisim të vetëm deri në fund të mandatit pa asnjë koalicion me asnjë subjekt politik, pa asnjë koalicion të ri. Vendimet do të shkojnë në asamble dhe të gjitha vendimet janë në interes të qytetarëve dhe nuk kanë të bëjnë me një parti politike. Prandaj deri në fund të këtij mandati, për 10 muaj që kanë mbetur si LDK do të vazhdojmë të qeverisim pa koalicione të lehta. E dimë që nuk do të jetë lehtë t’i kalojmë vendimet në Kuvendin e Komunës por edhe sot ftojë të gjithë akterët politikë që të përkrahin vendimet dhe politikat që janë në interes të qytetarëve”, potencoi Tahiri.
Thirrja e Tahirit për asamblistët që të përkrahin vendimet që janë në interes të qytetarëve vie meqë siç thotë ai shkak i situatës së krijuar nga pandemia COVID-19 është thelluar kriza ekonomike e shëndetësore. Me ç’rast ai tregon se që nga dhjetori i 2019-s e deri në shtatorin e 2020-ës 35 përiqind e biznesve kanë shuar aktivitetin e vetë.
“Të gjitha vendimet që janë në asamblenë komunale janë në interes të qytetarëve prandaj i ftojë të gjithë asamblistët që të përkrahin këto vendime dhe t’i shtyjnë përpara politikat siç janë këto të rimëkëmbjes ekonomike që janë në interes të qytetarëve. Kemi kaluar një ndër krizat më të mëdha edhe ekonomike edhe shëndetësore si qytet i Vushtrrisë me keqardhje duhet të them se vetëm si rezultat i pandemisë nga periudha e dhjetorit 2019 deri në shtator 2020, 35 përqind e bizneseve aktive në Vushtrri e kanë shuar aktivitetin e vet, në numër 331 biznese dhe kjo krizë është duke u thelluar përçdo ditë, kriza është e jashtëzakonshme, përgjigja jonë duhet të jetë proporcionale me krizën”, tregoi Tahiri./RTK