Presidenca-Çitakut: Osmani po kontakton vazhdimisht me Qeverinë për të vlerësuar dëmet e vërshimeve

- in Lajme

Presidenca e Republikës së Kosovës ka reaguar ndaj deklaratës së nënkryetares së Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, e cila e kritikoi presidenten, Vjosa Osmani, për mosreagim publik lidhur me situatën e krijuar nga vërshimet nëpër komunat e vendit, raporton Gazeta Sinjali.

Këshilltari për media i presidentes Osmani, Bekim Kupina, përmes një postimi në rrjetin social Facebook e ka quajtur absurde deklaratën e Çitakut.

Kupina tha se që nga dje, presidentja ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me Qeverinë në mënyrë që të vlerësohet dëmi i bërë dhe të minimizohen pasojat në ekonomi familjare, biznese dhe në bujqësi.

“Që nga dita e djeshme, Presidenca vazhdimisht ka qenë në kontakt me institucionet relevante për t’u siguruar se ekziston mobilizim i plotë për t’u dalë në ndihmë qytetarëve të prekur nga vërshimet në komunat e Republikës së Kosovës. Presidentja poashtu ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me Qeverinë në mënyrë që të vlerësohet dëmi i bërë dhe të minimizohen pasojat në ekonomi familjare, biznese dhe në bujqësi”, shkroi ai.

Sipas Kupinës, deklarata e Çitakut regon se ka të tillë që pikërisht kur duhet të mbrohet interesi qytetar, nxiten nga interesa të ngushta me qëllim që ta sulmojnë presidenten.

“Presidentja çdo ditë punon për qytetarët e Republikës, ndaj deklaratat absurde, siç është kjo e znj.Çitaku sot, tregojnë se ka të tillë që pikërisht kur duhet të mbrohet interesi qytetar, nxiten nga interesa të ngushta me qëllim që ta sulmojnë Presidenten. Për dallim nga znj.Çitaku, Presidentja e vendit e di shumë mirë edhe kush janë qytetarët e Republikës së Kosovës, por edhe ku janë kufijtë e Republikës së Kosovës”, shtoi tutje këshilltari i Osmanit.

Ndryshe, nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, i kishte bërë thirrje presidentes të reagojë për gjendjen alarmante të shumë banorëve të vendit të goditur nga vërshimet.

“Fole ndonjë fjalë Presidente. Qytetarë të Republikës sonë janë edhe ata”, shkruan Çitaku.

/GazetaSinjali/