Pranimi në KiE “mund ta ketë fatin si liberalizimi i vizave”

- in Lajme

Nëse Kosova nuk bën hapa të menjëhershëm drejt formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, pritja e saj për anëtarësim në Këshillin e Evropës (KiE) do të shndërrohet në një “sëmundje të gjatë” dhe me “kosto të lartë”, thotë Demush Shasha nga Instituti i Kosovës për Politika Evropiane.

Se a do të bëjë ndonjë hap në këtë drejtim, tash për tash nuk është e qartë. Interesimit të Radios Evropa e Lirëpër këtë çështje nuk iu përgjigj as Qeveria e Kosovës, as Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Çështja e Asociacionit e la Kosovën jashtë agjendës së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës më 17 maj, kur edhe do të vendosej për anëtarësimin e vendit në këtë organizatë.

Kusht i disa vendeve anëtare të saj, përfshirë Francën dhe Gjermaninë, ishte që Kosova ta çonte së paku për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese një draft-statut të diplomatëve perëndimorë për Asociacionin.

Vetëm 24 orë përpara se të mblidheshin ministrat e Këshillit të Evropës, ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, tha se vendi është duke përgatitur një draft-statut të vetin, bazuar në modelin e një organizate gjermane, për ta dorëzuar në Kushtetuese deri në fund të majit.

Njoftimi i saj nuk i ndryshoi zhvillimet në KiE, sepse u konsiderua i vonshëm.

Rrjedhimisht, Gërvalla tha se oferta e Kosovës “e humbi vetvetiu aktualitetin dhe relevancën”.

REL-i e pyeti MPJD-në nëse kjo nënkupton heqjen dorë nga hartimi i draft-statutit, por nuk mori përgjigje.

“Mund të ketë vonim, por jo shpëtim”

Shasha thotë se nëse Qeveria e Kosovës nuk e dërgon draft-statutin në Kushtetuese, siç u zotua, do të ketë pasoja për vetë Kosovën.

Sipas tij, duke mos bërë hapa konkretë, vendi rrezikon të shkojë drejt një situate të ngjashme me atë të vitit 2016, kur nuk e ratifikoi marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Ratifikimi i kësaj marrëveshjeje nga Kuvendi i Kosovës ishte kusht për heqjen e regjimit të vizave nga BE-ja për qytetarët e Kosovës.

Për pasojë, thotë Shasha, Kosova i humbi gati 8 vjet, derisa siguroi udhëtimin pa viza nga 1 janari i këtij viti.

Ai thotë se situatë e ngjashme mund të ndodhë edhe me anëtarësimin në KiE – organizatën lidere në kontinent për të drejtat e njeriut.

Për më tepër, shton ai, situata mund të ndikojë edhe në kredibilitetin ndërkombëtar të Kosovës dhe ta frenojë atë edhe në proceset e tjera integruese.

Formimi i Asociacionit, thotë Shasha, “është i pashmangshëm”.

“Nga kjo punë, epilog tjetër s’ka. Siç thotë fjala popullore: ‘mund të ketë vonim, por shpëtim nuk ka’. Mund të provohet të bëhen të gjitha manovrat politike, por ikje nga përgjegjësia për ngritjen e Asociacionit, nuk ka”, thotë ai.

Çka është Asociacioni?

Asociacioni, mes tjerash, do të koordinonte punën në arsim, kujdes shëndetësor dhe ekonomi në komunat me shumicë serbe të Kosovës.

Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për të qysh në vitin 2013.

Marrëveshja u miratua edhe në Kuvendin e Kosovës, por Gjykata Kushtetuese konstatoi më pas se ajo ishte jokushtetuese, meqë nuk përfshinte edhe etni të tjera.

Pavarësisht garancive nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian, Kosova druan se një asociacion i tillë do të ndikonte në funksionimin e shtetit.

Themelimi i Asociacionit u bë pjesë edhe e Marrëveshjes së Ohrit për normalizimin e marrdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, e arritur në vitin 2023.

Diplomatët perëndimorë e hartuan një draft-statut për këtë organ në fund të vitit të kaluar, por kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se nuk e ka pranuar.

Javën e kaluar, udhëheqësit e Gjermanisë, Francës dhe Italisë bënë të ditur se i kanë dërguar një letër Kurtit, në të cilën i shprehën sërish mbështetje për draft-statutin e diplomatëve perëndimorë.

Kurti, në letrën dërguar atyre, e la hapur mundësinë që ta shqyrtonte atë, por vetëm pasi të shqyrtohej fillimisht nga ekspertët ligjorë të KiE-së.

Shefja e Grupit Parlamentar të partisë së tij – Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, tha të hënën në një intervistë për Televizionin Koha në Prishtinë se ky draft “është i papranueshëm”. 

Për Belgzim Kamberin, nga Instituti për Politika Sociale “Musine Kokolari” në Prishtinë, Kosova tashmë e humbi rastin që u desh ta shfrytëzonte për anëtarësim në KiE.

“Tash, këtu kemi një lloj moskuptimi dhe kundërthënieje të thellë midis Quint-it [SHBA-së, Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, Francës dhe Italisë] dhe Qeverisë së Kosovës, lidhur me atë se për cilin draft-statut [të Asociacionit] po flitet”, thotë Kamberi për Radion Evropa e Lirë.

Këtë, sipas tij, e dëshmon edhe fakti se Kosova nuk e dërgoi draft-statutin e Asociacionit në Gjykatë Kushtetuese edhe me koston e mospranimit në KiE.

“…pra, nuk është e gatshme fare ta themelojë Asociacionin ose po taktizon në kuptimin që për të [Qeverinë e Kosovës], themelimi i Asociacionit në këmbim me Këshillin e Evropës është ‘pazar i vogël’”, thotë Kamberi pa specifikuar më shumë.

Marrë parasysh zhvillimet në terren, njohësit e çështjeve politike, megjithatë, shprehen skeptikë për ndonjë hap të shpejtë konkret në drejtim të themelimit të Asociacionit.

Në Kosovë, gjithnjë e më shumë, është duke u diskutuar mundësia e zgjedhjeve të parakohshme.

Bashkimi Evropian, po ashtu, është në fazën e procesit zgjedhor, në të cilën marrin pjesë aktive edhe disa prej figurave kryesore të institucioneve të BE-së./Demokracia