Politikanët kosovarë zbulojnë një ‘thes me pare’: Çështja e Trustit bëhet edhe më e madhe

- in Lajme

Sa herë që krizat bien mbi vendin tonë të vogël por të shtrenjtë (me çmime), mendja na shkon te ndonjë qyp me flori apo te ndonjë thes me para që do të zgjidhte telashet tona financiare. Por, tash duket se politikanët kanë arritur të gjejnë qypin/thesin te TRUST-i. Së fundi, pas deputetëve të opozitës, edhe deputetët e pushtetit po e kërkojnë një gjë të tillë.

Pasi çmimet e konsumit por edhe çmimet e tjera në përgjithësi u rritën, çështja e Trustit u rikthye në vëmendjen e qytetarëve dhe të deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Për t’ua lehtësuar krizën qytetarëve, deputetët e Opozitës kanë propozuar që të ketë edhe një tërheqje tjetër të mjeteve financiare nga Trusti, njëjtë siç pati ndodhur vitin 2020 pas vendimit të marrë nga Qeveria Hoti.

I pari me këtë propozim doli deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, por tash së fundi atij i është bashkuar edhe një deputet i partisë në pushtet [VV], Driton Hyseni. Qeveria megjithatë, të paktën deri tash, ka thënë se nuk do ta përkrahë një tërheqje tjetër parash nga TRUST-i.

Në dokumentin e siguruar nga Nacionale, deputeti Hyseni ka protokulluar pyetjen më 1 mars të këtij viti.

Në letrën e tij, deputeti Hyseni thoshte se tërheqja e fitimeve të vitit 2021 do të ruante kontributet e qytetarëve.

“Duke ruajtur vlerat e investuara, pra kontributet nga qytetarët në Trustin e kursimeve pensionale, do doja të kërkoj që brenda mundësive, qytetarëve t’u lejohet tërheqja e fitimit që Trusti Pensional ka gjeneruar për vitin 2021”, thuhet në kërkesën e deputetit.

Në shkresën e tij, deputeti Hyseni thotë se shuma totale e fitimit e cila është 227 milionë euro, nëse futet në qarkullim në ekonominë e vendit do të lehtësonte rrethanat në të cilat po kalon vendi.

“Ministër, a është e mundur që qytetarët proporcionalisht të tërheqin mjetet e fitimit të vitit 2021 nga Trusti i kursimeve pensionale?”, pyet deputeti Hyseni ministrin Murati.

Nacionale ka pyetur Hysenin për të kuptuar më shumë detaje për pyetje-propozimin e tij dhe ai na ka thënë se deri më tani nuk ka pranuar përgjigje.

Hyseni ka thënë se pyetje mund të bëjë secili deputet dhe se nuk ka biseduar me deputetët e partisë tij pasi është vetëm një pyetje dhe nuk është propozim.

“Pyetje mund të bëhen nga cilido deputet, janë individuale dhe s’kemi diskutuar për këtë me deputetë të tjerë sepse secili deputet mund të bëjë pyetje nuk ka qenë propozim”, ka thënë ai për Nacionale.

Ndërkohë, Bekim Haxhiu nuk ka komentuar më shumë për propozimin e deputetit të VV-së, por ka thënë se e mirëpret atë dhe çdo propozim tjetër.

“Kërkesa për tërheqjen e mjeteve nga Trusti është e qytetarëve, unë me deputetët e PDK-së e kemi proceduar plotësim-ndryshimin e Ligjit për Trustin me çka do të mundësohet tërheqja e mjeteve nga qytetarët prej 10 deri 30%. Sa i përket kërkesës së deputetit, mirëpres çdo propozim, sigurimi i mjeteve është përgjegjësi e Trustit, buxhet ka, dhe zyrtarët e Trustit kanë deklaruar se në momentin që Kuvendi të miratojë ndryshimin e Ligjit, ata do ta zbatojnë vendimin për të mundësuar tërheqjen e mjeteve nga Trusti”, ka thënë ai për gazetën Nacionale.

I pyetur se cilët nga deputetët e VV-së e kanë përkrahur në inciativën e tij dhe të PDK-së, Haxhiu nuk dha asnjë emër.

“Kjo është kërkesë e qytetarëve pa dallim të partive politike dhe votimi në Kuvend do të jetë unifikues për të mirën e qytetarëve”, ka thënë ai.

Kujtojmë që ai kishte përmendur madje edhe shifrën prej 12 deputetëve të VV-së që po mbështesnin iniciativën në fjalë.

Deputeti i njohur me nofkën Kamishi nuk dha afat se kur mund të ndodhë tërheqja e mjeteve financiare nga Trusti, pasi u pyet se kriza me çmime mund të përfundojë dhe mjetet nga Trusti nuk do të mund të tërhiqen.

“Kriza vetëm se po shkon duke u thellu për shumë familje dhe qytetarët me të ardhura të ulëta dhe mesatare”, u përgjigj ai.

Kujtojmë që, Bekim Haxhiu, në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së më 9 mars ka dorëzuar në Kuvend Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Fondin e Kursimeve Pensionale, i cili do të mundësonte tërheqjen e këtyre mjeteve.

Sipas propozimit të PDK-së, kontributpaguesit që kanë më pak se 10 mijë euro kursime pensionale kërkohet që të kenë të drejtën e tërheqjes së 30 për qind të mjeteve.

Ata që kanë deri 20 mijë euro – 25 për qind, nga 20 mijë deri 30 mijë – 20 për qind.

Për kontributpaguesit që kanë kursime pensionale në shumën prej 30 mijë eurosh – 15 për qind dhe ata mbi 40 mijë euro – 10 për qind të shumës.

Vetëvendosje K U N D Ë R  

Vetëvendojse menjëherë kishte hudhur poshtë propozimin e PDK-së për tërheqjen e mjeteve nga Trusti. Ata nuk kishin përkrahur as tërheqjen që ishte bërë gjatë Qeverisë Hoti, me Kurtin që e kishte cilësuar si “absurd”.

Shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, ishte shprehur si vijon:

“Jo nuk e ka mbështetjen tonë dhe nuk do ta ketë. Sepse vetë koncepti i Trustit ka të bëjë me ruajtjen e një mirëqenie të qytetarëve pas moshës 65-vjeçare. Na mbetet të diskutojmë me opozitën për modalitete tjera të ndihmës për qytetarët”, pati thënë ajo.

I të njejtit mendim është edhe kryesuesi i Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere dhe deputeti i Vetëvendosjes, Armend Muja.

Deputeti i LVV-së nga Mitrovica pati thënë se nuk duhet të bëhet shprehi tërheqja e shpeshtë e mjeteve nga Trusti.

“Unë nuk isha privilegju sa i përket tërheqjes nuk është çështja a ka mundësi apo s’ka, nëse ne e bëjmë shprehi, ne nuk themi që qytetarët nuk kanë nevojë por unë pajtohem me ju që duhet të eksplorojmë mënyra të tjera”, ka thënë Muja.

Ai kishte thënë se momentalisht nuk është nevoja të përdoren fondet e Trustit pasi ka një rritje ekonomike.

“Nuk është situata e njëjtë, sepse kemi një rritje ekonomike prej 10%”, ka thënë ai.

VV ishte kundër edhe tërheqjes së parë nga Trusti në vitin 2020.

10% më 2 0 2 0

Tërheqja e 10-përqindëshit të kursimeve pensionale ishte bërë në kohën kur Qeveria udhëhiqej nga kryeministri Avdullah Hoti.

Nga Trusti ishin tërhequr afro 200 milionë euro nga mbi 420 mijëkontributpagues.

Këtë tërheqje, sipas ligjit, Qeveria e Kosovës do ta kompensojë brenda pesë vjetëve. Vetëm kontributpaguesit që kishin kursime deri në 10 mijë euro dhe të cilët kanë bërë tërheqjen, dhe jo ata mbi 10 mijë euro./Nacionale