Policia konfirmon transportimin e 9 policëve të sëmurë nga veriu në jug nga KFOR-i

- in Lajme

Situata në veri të vendit sa po shkon e po bëhet më alarmante. Nëntë policë, të cilët tash e 11 ditë po patrullonin në dy pika kufitare janë sëmurë, për transportimin e tyre është kujdesur njësiti i misionit paqëruajtës, KFOR.

Nëntë pjesëtarë të Policisë së Kosovës janë tërhequr nga Jarinja për shkak të problemeve shëndetësore që kanë.

Baki Kelani, zëdhënës i Policisë së Kosovës, ka konfirmuar se transportin e policëve e ka kryer KFOR-i.

“Bashkëpunim dhe kontakte të vazhdueshme PK-ja mban edhe me KFOR-in, i cili sot për shkaqe shëndetësore ka përkrahur transportimin e 9 zyrtarëve policorë nga veriu në jug”- ka thënë Kelani.

Javën e shkuar, Gazeta Sinjali raportoi se zyrtarët policorë ishin bllokuar dhe kishin mungesë të ushqimit dhe madje iu ishte pamundësuar edhe mbajtja e higjienës personale.

Deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj kishte thënë për Sinjalin se paraqitet rreziku për sëmundje infektive .

“Në bazë të informatave qw i kam nga disa polic, policët që janë në stacionin e Leposaviqit shujtën e fundit që ju ka dorëzuar ka qenë dita e diel. Nga dita e diel ata janë duke i përdorur ato shujta që  ua kanë dërguar pra ka informata që buka ka filluar të hargjohet. Nuk kanë mundësi t’i ndërrojnë rrobat dhe paraqitet rreziku për sëmundje infektive dhe duhet sa më shpejt që është të mundur të merret vendimi i largimit të këtyre barrikadave”, tha Qalaj.

Ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës kishte shtuar se policët janë urdhëruar që të mos flasin për ankesat e tyre./Sinjali