Policia e Kosovës ka parandaluar një rast të kontrabandimit me mallra, ku mbrëmë Policia Kufitare ka identifikuar një veturë që po vinte nga fshati Tanushë e Maqedonisë së Veriut, raporton Gazeta Sinjali.
Përmes një komunikate për media, Policia njofton se bëhet fjalë për çajin e famshëm për dobësim që përdoret me të madhe nga qytetarët kosovarë, Nerox dhe Diox.
“Njësitë policore, pasi kanë ndaluar automjetin e dyshuar të cilin e drejtonte i dyshuari mashkull me iniciale I. B., gjatë kontrollit kanë gjetur të ngarkuar çaj për dobësim 1584 pako të një firme dhe 50 pako çaj të një firme tjetër, e që në total janë gjetur 1634 (një mijë e gjashtëqind e tridhjetë e katër) pako, ku vlera e përgjithshme e mallit sipas çmimit të tregut është mbi 44000 euro, për të cilat i dyshuari nuk posedonte asnjë dokument përkatës mbi prejardhjen e tyre“, thuhet në njoftim.

