Policia jep detaje për vrasjen e dyfishtë në Mitrovicë të Veriut: Viktimat u therën për vdekje me thikë

- in Lajme

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në rrugën “Krajla Petra” në Mitrovicën e Veriut, ku si pasojë e një zënke familjare mbetën të vrarë babë e bir, raporton Gazeta Sinjali.

Rastin e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës Veriore, Besim Hoti, i cili ka bërë të ditur se një person ka therur për vdekje babain dhe vëllain e tij.

“Një vrasje e dyfishtë ka ndodhur brenda një familje. Një person ka vrarë babain dhe vëllain e tij. I ka therr me thikë dhe të njëjtit s’kanë mundur t’iu përballojnë plagëve dhe kanë vdekur në vend. I dyshuari është arrestuar”, ka thënë Hoti.

Sinjali mëson se burri që dyshohet se u vra nga djali i tij është avokati Milan Bigovic, i cili më parë ka qenë gjykatës. Përpos avokatit, i vrarë ka mbetur edhe djali i tij Uroš Bigovic.

Burimet e Sinjalit kanë bërë të ditur se i dyshuari që tashmë ka rënë në prangat e Policisë për këtë vrasje të dyfishtë është Marko Bigovic, 29-vjeçar.

I riu dyshohet se vrau vëllain dhe babain pas një mosmarrëveshje në familje.

Sipas informatave të para, i njëjti është përdorues i narkotikëve.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.