Gazeta Sinjali raportoi mbrëmë për një rast të dhunës në familje që ndodhi në Suharekë, ku një grua u ballafaqua me ish-bashkëshortin e saj, që e sulmoi e tentoi ta marrë me zor. Pas denoncimit, Policia nisi kërkimet për ta kapur dhe tashmë i Sinjali mëson se i dyshuari është arrestuar.
Burimet nga Prokuroria njoftojnë se i njëjti është kapur gjatë ditës së sotme dhe pas shoqërimit në Polici, ka dhënë deklaratë para hetuesve policorë.
Por si ndodhi rasti?
Gjithçka dyshohet se ndodhi mëngjesin e djeshëm derisa viktima ishte duke ecur rrugës bashkë me djalin e saj të mitur kur i dyshuari i doli në pritë, duke kapur për krahu dhe me forcë tentoi ta fus në veturë.
Më të keqen e parandaluan disa kalimtarë të rastit të cilët kanë ndërhyrë dhe kanë shpëtuar gruan dhe fëmijën e saj.
Por si pasojë e dhunës nënë e bir kanë marrë lëndime trupore, për çka kanë kërkuar ndihmë mjekësore në spital, teksa rasti është denoncuar edhe në Polici.
Viktima ka deklaruar se ka urdhërmbrojtës, por siç duket kjo nuk po ia lë shenjë ish-burrit të saj.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit i dyshuari ndodhet nën masën e ndalimit policor, për 48 orë.