Një person në Majac të Podujevës ka pësuar lëndime trupore pas një sulmi me armë zjarri në Podujevë në orët e para të së dielës. Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me rastin.
Në njoftimin e policisë, viktima thuhet se ka raportuar se 3-4 persona kanë tentuar t’ia vjedhin lopët nga stalla e bagëtive diku rreth orës 02:20.
Me të dalë në oborr, pronari sipas raportimit në polici është sulmuar me armë zjarri.
“Majac, Podujevë / 13.04.2024 – 02:20. Viktima mashkull kosovar ka deklaruar se kishte dëgjuar një zhurmë të kafshëve e cila vinte nga stalla e bagëtive. Kur viktima kishte dal në oborr, kishte vërejtur 3-4 persona të panjohur qe tentonin të vjedhin kafshët (lopët) nga stalla. Të dyshuarit kur kanë vërejtur viktimën kishin shtënë me armë zjarri në drejtim të tij dhe ishin larguar në drejtim të panjohur. Viktima ka pranuar tretman mjekësor pasi në pjesën e abdomenit kishte pësuar një lëndim sipas të cilit ishte shkaktuar nga arma e zjarrit”, thuhet në njoftimin e PK’së.
Siç bën të ditur tutje policia, në vendngjarje janë konfiskuar dy gëzhoja të armës së zjarrit. Rasti është nën hetime./Demokracia